Dëshmitarja e shtatëmbëdhjetë kundër Thaçit dhe të tjerëve ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998 në komunën e Rahovecit. Ajo pretendon se UÇK kishte sulmuar familjen e saj dhe banorët përreth për t’i larguar nga shtëpitë e tyre e mbajtur pastaj të ndaluar, sipas saj, burrat veç e gratë veç. Dragica Bozhaniq ka thënë prej asaj periudhe nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.
Në fillim të seancës, prokurori Cezary Michalczuk e ka pyetur dëshmitaren me kodin 00072 rreth deklaratave të saj të mëparshme.
Ai ka përmendur një intervistë të 16 dhjetorit të vitit 2016, 10 dhjetor 2005 dhe 17 korrik 2013.
Derisa ka bërë të ditur se në seancën përgatitore të mbajtur me këtë dëshmitare në korrik të këtij viti, prokuroi ka thënë se dëshmitarja ka pasur mundësi të bëjë korrigjime në deklaratat e saj.
Pas kësaj, prokuroi e ka pyetur atë nëse qëndron prapa atyre deklaratave dhe nëse do të përgjigjej njësoj sot para trupit gjykues, për çka dëshmitarja ka pohuar.
Prokurori Cezary Michalczuk ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme në bazë të rregullës 154.
Ai ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së kësaj dëshmitare, të cilën ka thënë se ua ka dërguar palëve më 14 gusht 2023.
Michalczuk: Dëshmitarja ka thënë se ajo dhe familja e saj u sulmuan nga UÇK me 18 korrik 1998
“Në korrik të vitit 1998 Dragica Bozhaniq jetonte me familje në fshatin e saj në komunën e Rahovecit. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i vitit 1998, dëshmitarja dhe anëtarët e familjes, anëtarët e tjerë të komunitetit serb në fshatin e saj u sulmuan nga UÇK në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998 serbët e fshatit të saj u dorëzuan, ju dorëzuan UÇK-së dhe i çuan me veturë në një fshat afër, ku mbërritën atje UÇK i ndau burrat nga gratë, te burrat ishte djali dhe bashkëshorti i dëshmitarit që çuan në bodrumin e një shtëpie ndërsa gratë ishin në të njëjtën banesë por në aktin e sipërm. Dëshmitarja dëgjonte që burrat serbë i rrihnin, dëshmitaren e morën në pyetje UÇK-së për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe”, ka lexuar ai.
Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe drejtor shkolle.
Sipas saj, ai nuk ka qenë asnjëherë në ushtri për shkak të një sëmundje me veshkë. Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj kishte raporte të mira me shqiptarët fshatit.
Michalczuk: Dëshmitarja ka thënë se UÇK i ka mbajtur civilët në Semetishtë
“Në mëngjesin e 19 korrikut të vitit 1998 ushtarët e UCK-së e çuan dëshmitaren të bashkëshorti që i dhanë një letër me shkrim dore që të ua jepte banorëve serbë të fshatit Zoqishtë, ku thuhej se duhet t’i dorëzoheshin UÇK-së, me atë rast kur e pa bashkëshortin dëshmitarja e pa që ai kishte mavijosje në fytyrë. Të njëjtën ditë, të gjitha gratë serbe nga fshati i dëshmitares u çuan me veturë nga ushtarët e UÇK-së për Zoqishtë, ku dëshmitarja u dha letrën që kishte dhënë bashkëshorti. Burrat serbë i mbajtën të ndaluar ku ishin, gratë i çuan në një manastir ku qëndruan dy ditë derisa filluan luftimet. Më pas UÇK i zhvendosu të gjithë civilët në Semetishtë, dhe i mbajti të ndaluar për një natë në shkollën e fshatit. Disa prej serbëve u morën në pyetje nga UÇK që ishte atje. Të nesërmen dëshmitarja dhe të ndaluarit tjerë u liruan nga Kryqi i Kuq. Dëshmitarja nuk e pa më kurr bashkëshortin dhe djalin”, ka lexuar prokuroi.
Pas kësaj, një person është përmendur në seancë private për të cilin, dëshmitarja ka thënë se është shoqëruar me familjen e saj.
Sipas saj, raporti me atë person ishte shoqëror dhe i njëjti u kishte vendosur edhe dritaret në shtëpinë e tyre të re.
Me të njëjtin person, dëshmitarja ka thënë se ishin marrë vesh që të ndihmonin njëri tjetrin në rast se do të ndodhte diçka në fshat.
Bozhaniq: Personi me të cilin kishim marrëveshje të na mbronte nuk e mbajti fjalën
“Ata na morën ne, na sulmuan nga data 17 duke u gdhirë 18 korriku, me 18 korrik na morën nga oborri dhe kur e pash këtë burrin u befasova sepse kishte pasur një marrëveshje përpara që ndryshe rënë dakord. Na morën, hynë në shtëpitë tona me forcë, kërkuan disa gjëra, nuk e dimë se çfarë, na thanë uluni në tokë, ne u ulëm, djalin ma plagosën, se hodhën granatë dore në shtëpi dhe ai u rrëzua, i ranë tullat në fytyrë, i plagosen dhe sytë, kur e pash unë fillova të qaj dhe nuk e dija çfarë të bëja”, ka thënë ajo.
Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj shoqërohej me shumë me shqiptarët sesa me serbët.
Derisa ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998, dëshmitarja ka përmendur ndalimin që sipas saj u ishte bërë atyre.
Bozhaniq: Personat që na kanë mbajtur na kanë thënë se nuk e kanë qëllim të na vrasin
“Askush nuk na ka thënë asgjë neve nga fshati jonë apo personave nga fshati tjetër, thjeshtë kanë thënë nuk ju kemi marrë me qëllim të ju vrasim sepse po të kishim dashur ta bënim këtë do ta bënim në oborrin tuaj. Megjithatë njerëzit vazhduan të mbaheshin të ndaluar në ato shtëpi”, ka thënë ajo.
Gjatë kësaj dëshmie, dëshmitarja ka thënë se ajo dhe gratë e tjera që sipas saj ishin të ndaluara, ishin liruar nga Kryqi i Kuq.
Bozhaniq: Jemi mbajtur të ndaluar në dy raste
“Kjo ka ndodhur kur na kanë zënë herën e dytë sepse kanë qenë dy raste, hera ep arë kur e kam dhënë letrën e burrit tim, herën e parë që na kanë marrë, pastaj na kanë dërguar në manastir në Zeqishtë dy netë, pastaj natën e dytë në mëngjes, pas natës është sulmuar manastiri dhe një predhë ra fjetoren e manastirit, të gjithë dolën në oborr, një murg na tha duhet të dorëzoheshim, nxorën një çarçaf të bardhë si dhe një që po dorëzoheshim, përsëri nga kanë grumbulluar dhe nga manastiri na kanë çuar në qendër të fshatit, na kanë vendosur ne autobusë dhe nga aty në një fshat tjetër, në Semetishtë pra, duke kaluar përmes së njëjtës rrugë, qëndruam një ditë e një natë të tërë atje, u morëm në pyetje një nga një, ata ishin vazhdimisht rreth nesh, na ruanin gjithë natën, nuk guxonim të lëviznim dhe disa prej meshkujve u mbajtën gjithë natën, murgun e morën e mbajtën gjithë natën dhe në mëngjes fshihte duart që të mos i shihnim mavijosjet”, ka thënë ajo.
Gjatë kësaj dëshmie ajo ka përmendur edhe disa gra të tjera për njërën prej të cilave, Sllavica Banqiq, pretendon se i kishte parë burrat që mbaheshin të ndaluar në një bodrum.
Bozhaniq: Slavica Banqiq i kishte parë burrat që mbaheshin të ndaluar
“Po kjo ka qenë në fshatin Peqan, ajo arriti të shkonte atje, nuk kam kushtuar shumë vëmendje se merrja shumë ilaqe në atë kohë, ajo shkoj në bodrum dhe ka parë meshkujt, tha që ka pasur kashtë aty në tokë, të gjithë ishin të shtrirë në tokë, nuk kishin të drejtë të ngriheshin, ajo shkoj deri te dera dhe i pa që ishin aty. Ka parë burrin e vet aty, djalin tim, aty ishin tetë meshkuj nga fshati jonë”, ka thënë ajo.
Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja është intervistuar edhe nga avokati i viktimave, Simon Laës.
Atij ajo i ka konfirmuar se nuk jeton më në Kosovë derisa ka theksuar se nuk do të kthehej në asnjë mënyrë, sipas saj, për shkak të asaj që ka kaluar .
Seanca po vazhdon me pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, avokatit Gregory Kehoe.