Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dështimi i institucioneve të sigurisë e drejtësisë, në dy vrasjet e fundit në Kosovë

 
   

Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë vlerësohet se dështuan në dy rastet e fundit të vrasjeve në Kosovë. Të dyja vrasjet, u kryen nga persona me precedentë penal, njëri prej të cilëve vetëm pak muaj më parë ishte ekstraduar nga Italia në Kosovë.

Sipas ekspertëve, një prej arsyeve të dështimit është edhe fokusimi i tepërt i Policisë së Kosovës në veriun e vendit.

Dy vrasjet e fundit në Kosovë, ndodhën nga persona të cilët kishin precedentë penal.

Madje, Tush Frroku, i dyshuari kryesor për vrasjen në Klinë, vetëm pak muaj më parë ishte ekstraduar nga Italia në Kosovë.

Njerëz të tillë, sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, lëvizin lirshëm, pasi Policia është koncentruar shumë në veriun e Kosovës.

“Do të duhej të jepte përgjegjësi ministri i punëve të brendshme, i cili duhet të bëjë një riorganizim funksional në kuadër të ministrisë së punëve të brendshme. Sepse ministri ka vepruar jo menqur duke e dislokuar pjesën më të madhe të efektiveëve të tij në pjesën veriore, me një plan operativ nga 2021 e tutje dhe pjesët e tjera të themi kanë mbetur me monitorues të zyrtarëve policor”, ka thënë Shala.

Një pjesë të rëndësishme të fajit, avokati Florim Shefqeti thotë se e kanë edhe prokuroria e gjyqësori.

“Neglizhenca, kushtimisht ta themi e sistemit të drejtësisë në trajtimin në mënyrë efikase posaqërisht të rasteve penale, por edhe atyre pronësore, po na shfaq në praktikë edhe vrasje edhe përsëritje të tyre”, ka thënë Shefqeti.

Shefqeti tregon se dënimet në rastet e vrasjeve, janë të ulëta.

“Ne kemi parë në praktikë që orientimisht mesatarja e dënimeve për vrasje sillet rreth 12, 15 dhe 17 vjet. Dhe sipas kodit penal, në momentin që mbahen dy të tretat e dënimit, kanë të drejtë të kërkojnë lirim me kusht”, ka vijuar ai.

I dyshuari kryesor për vrasjen në Klinë, është akoma në arrati, sikur edhe të paktën prej një prej të përfshirëveve në incidentin në kryeqytet, që përfundoi me një të vrarë e disa të plagosur.