Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dështimi i referendumit në veri/ Zbulohet plani i Serbisë – kërkohet nga BE largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës!

 
   

Votimi i 23 prillit supozohej të ishte hapi i fundit për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që aq shumë i kërkuan Lista Serbe dhe qytetarët serbë atje, mirëpo këta të fundit e bojkotuan.

Kjo pritet t’ia mundësojë kryetarëve shqiptarë që ta çojnë deri në fund mandatin e tyre, të cilin e morën fiks një vit më parë.

Serbët nuk dolën për të votuar për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore.

Kusht që votimi të rezultonte i suksesshëm ishte pjesëmarrja minimale prej 50% + 1 dhe që të gjitha votat të ishin “pro” shkarkimit të Erden Atiqit, Lulzim Hetemit, Izmir Zeqirit e Ilir Pecit.

Të drejtën për votë, të dielën e ushtruan 265 persona, derisa KQZ kishte njoftuar se në katër komunat veriore 46 mijë e 556 persona janë me të drejtë vote.

Pas kësaj situate është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se në lidhje me dështimin e referendumit “pro ose kundër” shkarkimit të kryetarëve në komunat veriore, ka thënë se “rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual”, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore ka dështuar.

Kurti përmendi gjithashtu se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim “ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.”

Ai ka bërë thirrje që masat e BE-së ndaj Kosovës të largohen sa më parë.

Mirëpo a do të jetë kjo ngjarje pikë reflektimi për BE-në për të u larguar masat ndaj Kosovës?

Tahiraj: Mjaft më me këtë diskriminim të shqiptarëve dhe me trajtimin e serbëve si popull hyjnor

 Image
 Saim Tahiraj 
 

Veprimtari nga Diaspora Saim Tahiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur skeptik që masat do të largohen.

Sipas tij, përveç masave kusht për të u antarësuar në Këshillin e Evropës do të jetë edhe Asociacioni.

“Duke shiquar në vazhdimësi veprimet shumëftyrëshe të ndërmjetësueseve Borrell dhe Lajçak, të njëanshme në favor të Serbisë, mendoj se nuk do i hjekin masat ndaj Kosovës. Jo vetëm që nuk do i largojnë masat ndaj Kosovës, por dyshoj shumë se do të shfaqin kushtëzime të reja. Kushtëzimi i parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës mundë të jetë Asociacioni, kjo ka filluar të dali në sipërfaqe. Nese edhe ky kushtëzim do të ndodhë, mendoj se këtu duhet të jetë vija e kuqe përtej së cilës, Kosova nuk duhet lejuar të kalohet. Mjaft më me këtë diskriminim të shqiptarëve dhe me trajtimin e serbëve si popull hyjnorë. Ta trajtosh xhelatin që bëri katër gjenocide mbi shqiptarët dhe popujve tjerë,si popull hyjnor dhe viktimën-shqiptarët ti dënosh deri në këtë shkallë. është e papranueshme. Për cilën demokraci që krenohet Evropa, bëhet fjalë këtu? Mjaft është mjaft, shqiptarët nuk duhet të lëshojn pe më, më mirë izolim total nga këta të pabesë se sa të nëpërkëmbur dhe të diskriminuar nga ta, deri në këtë shkallë. SHBA nuk duhet të lejojnë këtë nëpërkëmbje të shqiptarëve nga sllavët dhe aleatët e tyre evropian”, tha ai.

Më tej, veprimtari shton që ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët të bashkohen dhe t’i bëjmë ballë kësaj hegjemonie sllave dhe aleatëve të tyre evropian.

“Besimin dhe shpresën, shqiptarët e kanë te SHBA-të, si i vetmi shpëtim për të mbijetuar si popull i rrethuar me kaq shumë armiq shekullorë. Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët të bashkohen dhe ti bëjmë ballë kësaj hegjemonie sllave dhe aleatëve të tyre evropian. Shtetin e Kosovës që me aq shumë sakrifica e krijuam, duhet mbrojtur me çdo çmim. O të zhdukemi si komb përjetësisht, o të jetojmë të barabartë me popujt tjerë. Këtë duhet ta di kjo Evropë që në shumë etapa të Historisë ishte në anën e armiqve tanë shekullorë dhe mbanë përgjegjësi Historike”, nënvizoi Tahiraj për “Bota sot”.

Mehazi: BE-ja pas dështimit të referendumit duhet të largojnë masat ndëshkuese ndaj Kosovës

 Image
 Sulejman Mehazi 
 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai tha se dështimi i referendumit është tregues që serbët janë pajtuar për kryetarët fitimtarë të vazhdojnë mandatin e tyre deri në fund.

Sipas profesorit, BE pas këtij referendumi duhet të largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Pas dështimit të referendumit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, tani çdo gjë është e qartë se shumica e qytetarëve serbë janë pajtuar që kryetarët  fitimtarë gjatë zgjedhjeve të mbajtura para një viti  të vazhdojnë detyrat udhëheqë të komunave për shkak se zyrtarizuan legjitimitetin e katër kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, nëse masat ndëshkuese të BE-së ishin kryetarët shqiptarë të komunave serbe, atëherë  BE-ja pas dështimit të referendumit duhet të largojnë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ky referendum zgjedhor detyron BE-në që të tërheq masat pa farë arsye që ia “dhuruan” Kosovës vetëm pse kryetarët shqiptarë të katër komunave serbe nuk jepnim dorëheqje. Nëse problemi kyç për BE-në ka qenë kryetarët e komunave, nëse referendumi gjatë të votuarit nuk kaloi 50% plus një votë, atëherë BE-së s’i mbetet gjë tjetër përveç që të çlirojnë Kosovën nga masat e padrejta dhe absurd”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thekson që BE-së s’i ka mbetur, përveç që të pranojnë dështimin referendumin me anë të votës së lirë.

“Assesi nuk ka të drejtë BE-ja të dalë në anën e Vuçiqit  për bojkotimin e qytetarëve serbë, politikisht bojkotimet e kanë kuptimin e udhëheqjes së mëtejshme të kryetarëve të katër komunave në veri. Albin Kurti me qeverinë e tij me anë të referendumit ua mundësojë serbëve lokalë që të udhëheqin katër komunat në veri, por ja që ata nuk deshën e u pajtuar dhe për një afat të caktuat njëvjeçar komunat me shumicë serbe t’i udhëheqin shqiptarët, prandaj  BE-së s’i ka mbetur, përveç që të pranojnë dështimin referendumin me anë të votës së lirë”, foli Mehazi për “Bota sot”.