
Qeveria në detyrë ka dështuar në përmbushjen e premtimeve për reformën në drejtësi, përfshirë procesin e Vettingut, vlerëson Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke theksuar se një numër i madh i problemeve në projektligje tashmë është konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias.
Sipas hulumtuesit të lartë në IKD, Gzim Shala, qeveria ka mbetur e izoluar në këtë proces, pasi ka injoruar rekomandimet e institucioneve të tjera.
Ai rikujton se fillimisht ky proces nisi me një deklaratë të përbashkët zotimi mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykatës Supreme dhe Zyrës së Prokurorit të Shtetit, por më pas qeveria mbeti e vetme në këtë iniciativë.
“Duhet theksuar faktin se tanimë është e qartë se qeveria që tani është në detyrë deri më tash ka dështuar për të bërë reformën në drejtësi. Ky dështim do të thotë manifestohet në disa drejtime, në kuptimin e Vettingut, në kuptimin e reformës në KPK, që nuk është funksionalizuar apo nuk ka hyrë në fuqi ende. Një nga çështjet janë edhe projektligjet apo reforma sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve. Kjo reformë sipas kësaj deklarate ka përbërë gjithsej gjashtë projektligje dhe që si proces ka filluar përmes nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të zotimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë, KGJK-së, KPK-së, Gjykatës Supreme dhe Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Në një fazë të caktuar duke u thirrur në atë se MD-ja i ka injoruar komentet apo rekomandimet e akterëve të tjerë institucionalë, MD-ja kishte mbetur e vetme në këtë proces. Këto ligje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe janë të domosdoshme për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Bëhet fjalë për një sërë ligjesh që kanë nevojë të miratohen dhe disa të ndryshohen në mënyrë që të kemi llogaridhënie dhe masa me adekuate për sistemin e drejtësisë që të garantoj llogaridhënie”, ka thënë ai.
Ai thekson se draftet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë kanë pasur shkelje të shumta kushtetuese dhe nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Draftet e publikuara nga MD-ja kishin probleme të shumta kushtetuese, ligjore dhe në shumë raste nuk ishin në përputhje me Kushtetutën dhe me standardet e Komisionit të Venecias. IKD-ja kishte publikuar raportet me këto projektligje dhe vetëm disa prej çështjeve janë marrë parasysh nga ana e MD-së, derisa tashmë gjetjet e IKD-së janë konfirmuar nga ana e Komisionit të Venecias përmes këtyre opinioneve të publikuara”, tha ai.
Sipas tij, nëse procesi do të ishte zhvilluar në mënyrë të rregullt, reformat do të ishin përfunduar. Shala thekson se Komisioni i Venecias ka gjetur një numër të madh problemesh në projektligje, duke e vënë në pikëpyetje cilësinë dhe efektivitetin e reformës së premtuar nga qeveria.
Ai veçoi si problematik Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili, sipas tij, në shumë raste dështon të ofrojë llogaridhënie adekuate për shkak të problemeve ligjore.
“Fillimisht do të thotë se nëse do të ndiqej një proces i rregullt, nëse do të merreshin parasysh komentet, tanimë ky proces do të mund të ishte i përfunduar. Mirëpo stagnimi i MD-së në këtë proces, sidomos mosmarrja parasysh e komenteve ka bërë që deri më tani të mos i kemi këto ligje. Duhet theksuar faktin se fatkeqësisht Komisioni i Venecias në këto opinione ka gjetur një numër të konsiderueshëm të problemeve që kanë këto projektligje e të cilat duhet të adresohen. Tash në këtë situatë, në të cilën jemi, MD-ja duhet që të ulet dhe t i rishqyrtoj këto projektligje për shkak të numri të konsiderueshëm të komenteve që janë nga këto opinione të Komisionit të Venecias dhe që të procedohet tutje. Duhet theksuar faktin se këto ligje janë jashtëzakonisht të rëndësishme, po e marrim në shembull, Ligji për përgjegjësin disiplinore të gjyqtarëve dhe prokuroreve në shumë raste çalon të ofrojë llogaridhënie adekuate për shkak të problemeve ligjore. Komisioni i Venecias në opinione të tjera ka kërkuar që krahas reformave të tjera edhe KGJK edhe KPK t’i japin masa adekuate për të garantuar llogaridhënie, të cilat masa aktualisht nuk i ka. Gjithë kjo kohë e humbur paraqet një stagnim të progresit në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai.
Shala thekson se reformat e nevojshme nuk ndalen vetëm te miratimi i këtyre ligjeve, por kërkojnë edhe ndryshime më të thella në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë Vettingun dhe fuqizimin e mekanizmave mbikëqyrës.
Përveç projektligjeve tashmë të vlerësuara nga Komisioni i Venecias, Shala thotë se edhe dy projektligje të tjera që janë pjesë e kësaj pakoje nuk janë dërguar fare për vlerësim, duke lënë procesin e reformës të papërfunduar. Sipas tij, reformat në drejtësi nuk mund të kufizohen vetëm në ndryshimet ligjore, por duhet të përfshijnë edhe zbatimin e procesit të Vettingut dhe reformën në KPK.
“Fillimisht janë këto ligje, për të cilat, është publikuar opinioni nga ana e Komisionit të Venecias dhe po ashtu janë edhe dy ligje të tjera, të cilat nuk kanë shkuar për vlerësim nga MD-ja në Komisionin e Venecias. Janë gjithsej gjashtë projektligje, të cilët e përbëjnë pakon ligjore të reformës sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve. Fillimisht duhet theksuar se pa këto ndryshime nuk mund të kemi reformë në drejtësi, mirëpo edhe këto projektligje nuk e përbëjnë atë reformën e madhe në sistemin e drejtësisë. Reforma e madhe në sistemin e drejtësisë nënkupton që krahas miratimit të këtyre ligjeve duhet të zhvillohet edhe procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë, i cili proces juridikisht nuk ka filluar dhe po ashtu duhet që të jetësohet reforma në KPK, e cila është duke pritur vlerësimin e Kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.