Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se rezultatet në testin PISA, janë shqetësuese dhe se fajtor për këtë janë vendimet e Qeverisë.
Shkaktar sipas Jasharajt janë vendimet që janë marrë nga Ministria e Arsimit, për të cilat thotë se u dëmtuan nxënësit. Faj tjetër sipas tij është mungesa e digjitalizimit nëpër shkolla. Thotë se ende mësimdhënësit punojnë me shkrumbs e tabela.
Jasharaj ka kërkuar që të gjitha palët që janë të përfshira në arsim duhet të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë problemin se çfarë po ndodhë.
“Dita që ministrja para medieve i shpalli rezultatet ishte një lajm shumë i keq dhe unë nuk besoj që dikush në Kosovë është njëri i lumtur, por jemi ndier të pikëlluar të gjithë nga se është hera e tretë që Kosova po del shumë keq në testin PISA, që është njëri prej instrumenteve matëse ndërkombëtare. Nagavci ishte shumë e matur kësaj radhe dhe tha se mund të ketë ndikim koha e pandemisë, që mund të jetë njëri prej faktorëve. Kosova nuk ishte fortë e përgatitur sidomos shkollat dhe kjo me fajin e institucioneve, nuk ishin përgatitur tërësisht me mjete të teknologjisë bashkëkohore për të bërë mësimin në nivel të lartë, por mund të jete ky vetëm një element”, u shpreh Jasharaj.
Gishtin për rezultate të dobëta në testin PISA, Jasharaj e drejton kah institucionet gjegjëse, pasi siç thotë “Shkollat e Kosovës nuk i ngjasojnë shekullit 21”. Ai ka kërkuar digjitalizim të shkollave në vend.
“Ajo që duhet ta thotë Nagavci në qeveri është një element tjetër. Shkollat e Kosovës nuk i ngjasojnë shekullit 21, e kam thënë disa herë por me jepet mundësi vetëm në media, sepse komunikimi MASHT-SBASHK është i bllokuar disi me fajin e Nagavcit. Tani që nga greva unë konsideroj që qeveria Kurti në vend të fjalëve të mëdha ti zëvendësoj me vepra konkrete, për këtë duhet që zërin ta grisë në qeveri Nagavci që shkollat të zëvendësojnë shkumësin e shpuza, tekste që më zi i bëmë deri në fund të tetorit ti zëvendësoj me mjete bashkëhore të punës. Të digjitalizohen shkollat, të ketë llaptop e projektor në mënyrë që shkollat të jetë ambient shumë më i dashur për fëmijët”, u shpreh Jasharaj për EO.
Kryesindikalisti ka kërkuar më shumë bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit pasi thotë se rrezikojmë që rezultate të njëjtë viteve të ardhshme. Ai ka kërkuar nga ministrja Arbërie Nagavci që t’i lë inatet me Sindikatën.
“Konsideroj që Nagavci duhet t’i leje inatet, t’i thërras përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave e Artëve sepse konsideroj se janë kokat më të mençura të këtij vendi. Ta thërras SBASHK-un, t’i thotë prindërve t’i dërgojnë përfaqësuesit e vetë që konsiderojnë që janë më të merituarit, ne do ti dërgonim ekspertët që i kemi nga fusha e arsimit. Të jenë aty edhe përfaqësuesit e Fakultetit të Edukimit sepse ai është prodhuesi i kuadrove. Dhe bashkarish të shohim ku e kemi punë me kurrikulen, a është më i qëlluari, si i kemi punët me tekste shkollore që shumë nga njerëzit që e njohin këtë lami i kanë kritikuar vazhdimisht, si i kemi kushtet e punës dhe nëse ndodhë sikur dy herëve të kaluara që për një javë rresht të behët me gisht herë andej e këndej dhe të kërkohet fajtori e të lejohet që të fyhet më shumë figura e mësuesit, dhe prapë PISA e ardhshme do të na gjejë në këtë situatë tepër të keqe”, thotë Jasharaj.
Jasharaj e ka bërë fajtor kryeministrin Albin Kurti për nënçmimin ndaj mësimdhënësve. Thotë se ishte nismëtar i fyerjeve publike ndaj mësimdhënësve.
“Unë jam i bindur pa dashur ti mbrojë mësimdhënësit ata bëjnë angazhime një pjesë e madhe e tyre, por duhet të shohim edhe disiplinën në shkollë, edhe kushtet e punës. Unë po them shtetet e tjera kanë bërë shumë në këtë aspekt, por fjalët Kurti i ka pasur tmerrësisht të mëdha, do ta bëjmë këtë, do të ndërtojmë qindra çerdhe, do t’i kemi shkollat ashtu e kështu, mirëpo ndodhi e kundërta, ai ishte nismëtar shpesh edhe për fyerjen publike të figurës së mësuesit. Nuk e mbrojti figurën e mësuesit dhe mësuesit në Kosovë nuk po i krijon kushtet për punë të shekullit 21”, thotë Jasharaj.