Për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit në rastin e njohur si “Veteranët”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, ka njoftuar se gjykata përmes një parashtrese ka kërkuar nga të akuzuarit Halitjaha, Gashi, Buja, Daku dhe Jashari që të njoftojnë gjykatën në rast se nuk angazhojnë avokat sipas autorizimit, por që deri më tani të njëjtit nuk e kanë bërë një të gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata është e detyruar që të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare nëse ju nuk angazhoni për shkak se edhe për këtë vepër penale është avokati i detyruar”, tha gjykatësi Bahtiri.
Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte i pranishëm as mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokati Skender Musa, për të cilin i akuzuari Shurdhaj tha se ka qenë i angazhuar në një seancë tjetër, ndërsa gjykatësi Bahtiri konstatoi se lidhur me mungesën e tij nuk e ka njoftuar gjykatën.
Tutje, gjykatësi Bahtiri ka njoftuar se gjykata më 14 qershor 2023 ka pranuar parashtresën për plotësimin e precizimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale, duke ia bashkëngjitur 12 CD.
I njëjti ka kërkuar sqarime nga prokurori special Valdet Gashi nëse ka ndonjë propozim konkret sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit për dëgjimin e ndonjë dëshmitari.
Lidhur me këtë, prokurori Gashi deklaroi se ai nuk ka parë ndonjë obligim që të bëjë ndonjë propozim për dëgjimin e ndonjë dëshmitari, me arsyetimin se me rekomandimet e Gjykatës së Apelit është obliguar gjykata që të dëgjojë dëshmitarët e kategorisë së zinxhirit komandues dhe kategorisë së aplikuesve të mitur në kohën e UÇK-së për vërtetimin e disa fakteve.
Prokurori Gashi tha se ai rezervon të drejtën që këtë ta bëjë gjatë seancave të radhës nëse e shohin të nevojshme sipas dispozitave ligjore të procedurës penale.
Në fund, gjykatësi Bahtiri ka obliguar Prokurorinë Speciale që të pajisë të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre me parashtresën e fundit dhe CD-të në kopje fizike.
Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është ndërprerë ndërsa e radhës u caktua të mbahet më 18 shtator 2023.
Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.
Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Ndryshe, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Gjykata e Apelit në arsyetimin e vendimit ka theksuar se ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza.
“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit A.Ç., N.L., S.H., Sh.D., Q.G., Sh.B., A.D., Rr.B., F.F., S.E., F.Sh. dhe Xh.J., janë liruar nga akuza për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1. lidhur me nenin 31 të KPRK“, thuhej në aktgjykim.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.