Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se sot është pamundësuar votimi i anëtarëve të bordit të Trustit në Komisionin për Buxhet.
Murati ia la fajin opozitës për mungesë kuorumi dhe votimi për anëtarët e bordit të Trustit, e që sipas tij, kjo ishte pa kurrfarë arsye.
“Para disa muajsh opozita bënte alarm e shpërndante panik se si gjoja mjetet e Trustit po rrezikoheshin për shkak të mungesës së bordit”.
“Kjo është vetëm dëshmia e radhës se kjo opozitë nuk e ka hallin as te qytetari e as te shteti. Halli është tjetër kund”, ka shkruar Murati.
Kujtojmë se opozita e ka paralajmëruar mazhorancën se nuk do të marrin pjesë në seanca e komisione parlamentare përderisa Kosova të jetë nën masa ndëshkuese nga aleatët.