Mbi dhjetëra biznese nga diaspora si nga Australia, Gjermania, Suedia, Belgjika, Italia, e shumë shtete të Evropës janë bërë bashkë sot në Prishtinë për të ndarë përvojat e tyre si dhe për të krijuar bashkëpunime mes vete.
Sipërmarrësi dhe filantropi, Lazim Destani, në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e forumeve të përbashkëta të bizneseve vendore me ato të diasporës shqiptare.
Ai tha se takime të tilla janë me të vërtetë shumë domethënëse.
“Sot ka me qindra afaristë të ardhur nga diaspora dhe nga shumë shtete nga larg ku takohen dhe me afaristët vendas. Bashkëpunimi është gjithmonë i fuqishëm, pasi i bashkojmë forcat dhe besoj që ka sukses sa më shumë të bashkohemi e të takohemi njëri me tjetrin”, ka thënë Destani.
Tutje ai tha se punët e mëdha nuk janë të lehta “por asnjëherë nuk duhet ta humbim durimin dhe dëshirën”.
“Kjo punë në fillim duhet të mendohet mirë në aspektin që e ke mirë të menduar dhe atëherë fuqia është shumë e fortë dhe realizohet. Punën duhet ta bëjmë atë që duam dhe atëherë vjen suksesi”, theksoi ai duke shtuar se duhet të organizohen më shumë takime të tilla.
“Gjithmonë të bashkohemi që t’i ndërrojmë mendimet. Njeriu është lindur për një fuqi, që të jetë i fuqishëm. Por kur i bashkojmë forcat e njerëzve, aty vjen fuqia. Prandaj dhe duhet të bashkohemi dhe të punojmë bashkë”, ka thënë Destani.