Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Detaje nga rasti i tmerrshëm në Vushtrri, ky është i dyshuari që dhunoi ish-bashkëshorten nën kërcënimin e armës

Mëngjesin e sotëm, Policia njoftoi për arrestimin e një personi në Vushtrri, pasi i njëjti dyshohet se nën kërcënimin e armës ka dhunuar seksualisht dhe fizikisht ish-bashkëshorten e tij.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhënë detaje ekskluzive lidhur me rastin, teksa bëhet e ditur se i dyshuari është F.Hyseni, 21-vjeçar.

Hyseni, identitetin e plotë të të cilit redaksia ka vendosur mos ta publikojë për të mos identifikuar viktimën, dyshohet se ka marrë me dhunë 19-vjeçaren në veturën e tij dhe më pas e ka kërcënuar me armë.

Sipas burimeve, viktima në dëshminë e saj ka thënë se i dyshuari e ka kërcënuar se do ta vrasë atë dhe babain e saj e më pas e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Sikur kjo të mos mjaftonte, 21-vjeçari dyshohet se më pas e ka detyruar viktimën që të bëjë edhe fotografi me të, gjithmonë pa dëshirën e saj.

Viktima ka rrëfyer në detaje para organeve të hetuesisë gjithë tmerrin që përjetoi, gjë që bëri që njësitë policore të aktivizohen dhe të arrestojnë Hysenin.

19-vjeçarja ka marrë edhe tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.