Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia e ndodhur mbrëmjen e sotme në Venecia, Itali.
Numri i të vdekurve nga aksidenti në Mestre ka shkuar në 21, dy prej tyre fëmijë, ndërsa 12 janë të plagosur dhe ka disa të zhdukur.
Mediat italiane raportojnë një autobus që po transportonte turistë ukrainas drejt një kampingu u rrëzua nga një mbikalim në Mestre. Aksidenti ndodhi pak para orës 20:00 në mbikalimin e rrugës lidhëse që të çon nga Mestre në drejtim të Marghera dhe autostradës A4.
Për arsye që ende nuk dihen, autobusi ka thyer barrierat mbrojtëse dhe është rrëzuar duke përfunduar mes një magazine dhe shinave të stacionit të Mestres, duke marrë flakë. Disa nga viktimat e para të gjetura kanë vdekur nga djegiet e rënda.
Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet nga çasti në çast.