Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Detaje të reja nga vrasja e efektivit/ Dëshmia e nënës së autorit: S’e ndalova dot djalin, ja pse nisi sherri

Është zbardhur dëshmia e dhënë për grupin hetimor e Ajete Mërnicës, nënës së 23-vjeçarit Azgan Mërnica, i cili ditën e djeshme ekzekutoi me armë zjarri efektivin e forcave “Shqiponja”, Novruz Cenaliaj, 28 vjeç në fshatin Baltëz të Fierit.

Ajete Mërnica ka qenë bashkë me të birin në automjet në momentin kur ka ndodhur krimi, teksa dëshmia e saj ka ndihmuar dhe policinë në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes, ku krimi dyshohet se ka ndodhur pas një konlikti të çastit.

Ajo ka dëshmuar se arsyeja e nisjes së konfliktit ka qenë për kalimin në një rrugë të ngushtë në hyrje të fshatit. Sipas saj, ajo ka tentuar ta ndalojë djalin e saj, por nuk ia ka mundur dot.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe për një kalim në një rrugë të ngushtë në hyrje të fshatit. Tentova ta ndaloj djalin duke e kapur nga krahu, por nuk munda. Ai zbriti nga makina dhe më pas dëgjova një të shtënë arme”.

Pas këtij momenti 23-vjeçari dhe nëna e tij janë fiksuar nga kamerat teksa largohen me automjetin e tyre. Ky i fundit u sekuestrua rreth 4 kilometra nga vendi i ngjarjes, afër banesës së dajës së autorit.

Aty Azgan Mërnica ka braktisur makinën dhe është larguar në këmbë. Për kapjen e tij policia prej së hënës ka nisur kontrolle të shumta në të gjithë Qarkun e Fierit, por deri tani pa rezultat. Gjithashtu, është vënë dhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që jep informacion për kapjen e tij.