Të rinjtë janë ata që do të përcaktojnë të ardhmen e Kosovës, duke bërë ndryshime rrënjësore në shoqëri.
Kështu u tha në konferencën me temë “Rinia Përpara – Festojmë Fuqizimin e të Rinjve”, në pesë vjetorin e projektit “Up To Youth”, të USAID-it në Kosovë.
Drejtoresha e misionit të USAID-it, Ajlin Devit vlerësoi se e ardhmja e Kosovës është në duar të mira, duke iu referuar angazhimit të të rinjve përmes trajnimeve e iniciativave të organizuara nga progamet e USAID-it.
Ajo tha se të rinjtë janë pajisur me shkathtësitë që do të identifikojnë sfidat në shoqëri si dhe të njëjtit do të jenë arkitekt të ndryshimeve pozitive.
Devit u drejtua të rinjve duke u thënë se ata janë përgjegjës për ngritjen e gjeneratave të reja aktive.
Devit: Të rinjtë e përcaktojnë fatin e ardhshëm të Kosovës
“Ju keni potencialin që të jepni një kontribut të madh jetës ekonomike shoqërore të vendit. USAID-i e ka njohur këtë potencial të të rinjve që moti. USAID-i, deri më tani ka investuar 55 milionë dollarë në ngritjen në arsim. Kemi rehabilituar 31 shkolla duke përmirësuar përvojën e arsimit për 30 mijë nxënës dhe më vone kemi vazhduar me programet që janë fokusuar në arsimin bazik… Në vitin 2019 filluam një prog4am të llojit tjetër që ishte ‘UP to Youth’, ku të rinjtë u angazhuan si partnerë në zhvillimin e tyre. Në vend se të shohim të rinjtë si shfrytëzues të programit ne atyre u dhamë rolin e bashkë krijuesit të këtyre programeve…Është koha që të rinjtë të bëhen lider, ta shfrytëzojnë lidershipin e tyre dhe ta përmbyllin me sukses programin ‘Up To Youth’ …Ju jeni gjenerata që do ta përcaktojë fatin e ardhshëm të Kosovës, unë e di se fati i Kosovës është në duar të mira. USAID-i është shumë i përkushtuar që të vazhdojë t’i angazhojë të rinjtë si partnerë në zhvillim…Ju jeni ata të cilët do të ndihmoni në ngritjen e një gjeneratë të qytetarëve aktiv”, tha Devit.
Drejtoresha ekzekutive në Global Communities, Carrie Hessler Radalet tha se “UP To Youth”, parasheh botën ku të rinjtë mund të shërbejnë në mënyrë pro-aktive për ndryshimin transformativ brenda komunitetit të tyre.
Radalet potencoi se ideja ka qenë që duke ofruar mjetet e nevojshme, mbështetjen dhe duke kultivuar bashkëpunimin, rinia mund të transformohet duke e formësuar shoqërinë me punën e madhe të tyre dhe vizionin që e kanë.
Ajo potencoi se sot janë aty për të celebruar faktet e jashtëzakonshme të të rinjve të motivuar, derisa shtoi se duhet vazhduar investimi tek të rinjtë.
Radalet: UP To Youth’ parasheh botën ku të rinjtë mund të shërbejnë në ndryshimin transformativ brenda komunitetit të tyre
“UP To Youth’ parasheh botën ku të rinjtë mund të shërbejnë në mënyrë pro-aktive për ndryshimin transformativ brenda komunitetit të tyre. Ideja ka qenë që duke ofruar mjetet e nevojshme dhe të duhura, mbështetjen dhe trajnimin dhe duke kultivuar bashkëpunimin dhe mundësinë, rinia mund të transformohet në ndryshimin e arkitekturës duke e formësuar shoqërinë me punën e madhe të tyre dhe vizionin që e kanë. Këtë gjë ju e keni bërë tanimë, ju që e keni dëshmuar progresin ditor për pesë vitet e fundit, e kam vizituar dy herë që nga ky aktivitet ka filluar, përderisa ju keni parë historinë e ‘Up To Youth’ kam qenë dëshmitare e vetëm pjesëve të vogla të punës së juaj. Mirëpo, kjo më jep një pamje të freskët të shoh punën që bëhet dhe të shoh se çfarë po ndodhë. Ka qenë vërtetë e fuqishme”, theksoi Radalet.
Shefja e programit “Up To Youth” të USAID-it, Sadete Kastrati prezantoi rezultatet e punës pesë vjeçare të këtij projekti, për çka tha se janë mbajtur mbi një mijë trajnime me të rinjtë për shkathtësi të buta, të cilat përfshijnë lidershipin, vendimmarrjen, tolerancën e të tjera.
Ajo tha se këto trajnime u mbajtën me qëllim që të rinjtë të pajisen me aftësi të nevojshme për të bërë ndryshime pozitive në komunitet.
Kastrati potencoi se janë organizuar mbi 100 fushata për të avokuar mbi çështje të ndryshme.
Kastrati: Up To Youth’ ofroi rreth një mijë trajnime për shkathtësi të buta
“Kjo rini bëri shumë ndryshime pozitive në komunitetin ku ishin… ‘Up To Youth’, ofroi rreth një mijë trajnime për shkathtësi të buta. Këto trajnime i ndihmuan të rinjve të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të bëhen liderë të cilët i shohim sot në sallë. Trajnimet të cilat u ofruan, si lidershipi, vendimarrja, avokimi, mentorimi, toleranca, empatia, si dhe shumë trajnime të tjera mundësuan që të rinj të të pajisen me aftësitë e nevojshme për të bërë ndryshime në komunitet…Në këto iniciativa u angazhuan mbi katër mijë të rinj, ku këta të rinjë së bashku me akterë të ndryshëm identifikuan dhe adresuan sfida të ndryshme në komunitetin e tyre…Nëpërmjet iniciativave të rinjtë dizajnuan dhe realizuan mbi 100 fushata të ndryshme për të avokuar për çështje të ndryshme në komunitetin e tyre”, tha Kastrati.
Ndër të tjeranë këtë organizim u tha se rreth 95 plane të bizneseve u hartuan nga të rinjtë gjatë këtyre pesë viteve në kuadër të programit “Up To Youth”.