Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Dhëndrri na vrau motrën, e ia zhduki edhe kufomën” – Vëllëzërit Zeka kërkojnë drejtësi

 
   

“Shpesh e kam pyetur çfarë ke. Përgjigjja e saj gjithmonë ka qenë “vëlla mos më nguc”. E vëreja se ka presion. Madje dy herë kam pa shenja të dhunës në trupin e saj. Ai ia kishte ndaluar të komunikonte me familjarët e tjerë, përveç meje. As telefon të saj nuk ka pasë. Është dashtë nëpërmjet telefonit të tij me folë me te”, kështu me pak fjalë e përshkruante Rexhepi jetën e motrës së tij, Mirjetës.

Me të cilën për herë të fundit u panë më 30 mars 2019.

Sipas tij, disa orë pasi ata u përshëndetën, Mirjeta u vra nga bashkëshorti i saj N.SH. E më pas, i njëjti ia zhduki edhe kufomën.

Këtë version të Rexhepit dhe vëllait tjetër Besnikut, e di edhe Policia gjermane. Pasi ata motrën e tyre e kanë deklaruar si të zhdukur edhe atje.

 Sipas tyre, N.SH kishte nënshtetësi të Gjermanisë, ndërkaq bashkëshortja e tij të Kosovës.

Por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigjje për pyetjet e tyre që i kanë në ‘maje të gjuhës’, “Ku është trupi i Mirjetës?” dhe “Pse nuk u hetua vrasja e saj?”.

Cilat janë pretendimet e vëllëzërve Zeka në lidhje me rastin?

Në qeshor të atij viti, bashkëshorti i Mirjetës telefonon Rexhepin dhe i thotë: Motra jote ka ikur nga shtëpia. Më ka marrë një sasi të konsiderueshme parash. Në ora 4:00 ka dalë nga shtëpia. Aktualisht është në Afrikë. Kam raportuar rastin edhe ne Policinë e Kosovës edhe në atë të Gjermanisë.

Të shtangur nga ky lajm, vëllëzërit Zeka i drejtohen stacionit të Policisë.

Aty i thuhet se “askush më parë nuk i është drejtuar atyre për të denoncuar si të zhdukur gruan me emrin Mirjeta Zeka Shabani”, pra as bashkëshorti i saj.

Nga ai moment, Rexhepi i bindur se motra i është vrarë nga personi me të cilin dikur kishte dashur të kalonte jetën fillon të kërkoj trupin e saj.

Cilat janë deklarimet e tyre për trajtimin e rastit nga autoritetet?

“Janë kanë tri çikat e tij në Kosovë, në 08:00 të mëngjesit. Pas ditës kritike. Janë ardhë kanë nejt 3 ditë edhe janë kthy. Kjo po i bie që edhe çikat e tij kanë qenë të përfshira në këtë rast. Por deri më tani asnjëra prej tyre nuk janë intervistuar nga Policia”, ka deklaruar Besniku, vëllai i Mirjetës.

“Nijazi Rexha më ka thënë “nuk kemi buxhet me i dërgu policët tanë në Gjermani për t’i marrë në pyetje çikat. I thash “po jau paguaj unë” edhe lë të vijnë në Gjermani le të flasin”, ka thënë ai teksa ka folur për prokurorin e rastit, Nijazi Rexha.

Tutje ai ka deklaruar se çfarë, sipas tij, i janë përgjigjur autoritet në Gjermani: Ditën e parë që më kanë lajmëruar kam shkuar në Polici, në Gjermani. Pas saj kam shkuar edhe herë të tjera për të folur me ta. Më kanë thënë “Prokurori juaj nuk po do të punoj më ne. Më këtë sene që i posedojmë ne (letërkëmbimet me Policinë e Kosovës) janë tri gjëra: ose ka frikë (prokurori Nijazi Rexha), ose nuk di, ose është i korruptuar a familjar me të dyshuarin”.

“Prej që ka ndodhur rasti, prokurori asnjëherë nuk na ka thirrë me na thanë “jemi këtë, a e kemi bërë këtë”. Asnjëherë. Trupi i saj është në Kosovë. Ky (N.SH) ka bo diçka”, ka përfunduar ai, teksa ka bërë apel që të ndërmerren hapa për zbardhjen e këtij misteri.