Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Dhjetë gjëra s’i dini për ëndrrat

Çfarë janë ëndrrat? Në kuptimin e drejtpërdrejtë, ëndrrat janë mendime dhe imazhe, tinguj, zëra dhe ndjenja subjektive që përjetohen kur jemi në gjumë. Mund të përfshijnë njerëz që ne i njohim ose krejt të huaj, vende të njohura ose që nuk i kemi parë kurrë në jetë.

Ndonjëherë janë thjeshtë kujtime të vagullta të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë ditës, ndërsa në raste të tjera mund të evokojnë sekretet tona më të errëta, frikën dhe fantazitë intime.

Frojdi besonte se ëndrrat ishin një dritare në pavetëdijen tonë, dhe disa studime thonë se ai mund të ketë pasur të drejtë në këtë konstatim.

Por nga ana tjetër ekzistojnë me qindra teori që rreken të zbulojnë se çfarë janë ëndrrat dhe cili është qëllimi i tyre.

1- Në ëndërr nuk mund të lexohet

Nëse nuk jeni të sigurt nëse jeni duke ëndërruar apo jo, provoni të lexoni diçka. Shumica dërrmuese e njerëzve nuk janë në gjendje të lexojnë në ëndrrat e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për orën; çdo herë që ju shikoni në një orë, do t’ju tregojë një kohë të ndryshme.

2- Kur ëndërrojmë

Deri disa vjet më parë, besohej se ëndërrohej vetëm gjatë fazës së gjumit të ashtuquajtur REM.

Por disa hulumtime thonë se ëndërrojmë edhe gjatë gjumit jo-REM (NREM). Gjumi REM është faza më e afërt nga zgjimi, ndaj jemi më të prirur që të kujtojmë më kollaj ëndrrat e para gjatë fazës REM sesa ato që shohim gjatë fazës NREM. Çdo faze të gjumit i korrespondojnë edhe ëndrra të ndryshme. Gjatë gjumit REM, për shembull, njerëzit zakonisht raportojnë se kanë ndërvepruar me 2-3 personazhe, zakonisht njerëz që i njohin në jetën reale. Ndërsa faza NREM mund të përfshijë më tepër personazhe edhe të panjohur, njësoj si në një film.

3- Ëndrrat e dhimbshme

Disa studime pohojnë se dhimbja vjen në ëndërr, duke tejkaluar barrierën midis zgjimit dhe gjumit. Dhimbjet intensive mund t’i japin jetë anktheve të vërteta, por një studim i spitalit të Montreal në Kanada ka treguar se edhe sikur thjesht duke shkaktuar një ndjesi shpimi gjilpërash në këmbën e dikujt, bën që ai të ëndërrojë dhimbjen që përjeton.

4- Një ndihmës për kujtesën

Një eksperiment i kryer nga neuroshkencëtari Robert Stickgolddell, nga ‘Harvard Medical School’, ka konfirmuar se ata që menjëherë pas leximit bien në një gjumë plot me ëndrra kanë kujtesë më të fortë sesa ata të cilët ëndërrojnë më pak. Kjo, pasi truri gjatë gjumit të thellë i vihet punës për të bërë lidhjen mes gjërave të sapomësuara dhe atyre që tashmë i njeh.

5- Ëndrra me ngjyra

80 për qind e ëndrrave janë me ngjyra, por një përqindje e vogël njerëzish thonë se ata ëndërrojnë bardhë e zi.

6- Kontrolli i ëndrrave

Quhet ëndërr e qartë ajo në të cilën ju jeni të vetëdijshëm se jeni duke ëndërruar, edhe në qoftë se jeni ende zgjuar. Gjatë këtij lloji ëndërrimi mund të kontrollohet përmbajtja e ëndrrës maksimumi deri në 30 minuta. Ëndërrimtarët e vetëdijshëm ëndërrojnë sidomos gjëra të tilla si; sikur fluturojnë, sikur ecin nëpër mure apo udhëtojnë në kohë.

7- Ëndrra të famshme

Shumë autorë dhe shpikës kanë deklaruar se krijimet e tyre kanë lindur nga një ëndërr. Ndër këta përfshihet shkrimtari Mary Shelley, i cili ëndërroi personazhin e Frankenstein, fizikani Nikola Tesla (ëndrrat e të cilit magjepsin ende të apasionuar pas misterit), Elias Howe i cili u frymëzua pikërisht nga një ëndërr për të shpikur makinën qepëse. Duket se ëndrra ka frymëzuar edhe Larry Page për krijimin e një motori kërkimi si Google.

8- Emocione negative

Studiuesi amerikan, Calvin S. Hall në 40 vjet ka mbledhur më shumë se 50.000 përshkrime ëndrrash nga studentët e universitetit. Këto raporte janë bërë të disponueshme për publikun në vitin 1990 dhe zbulojnë se ne jetojmë në ëndrra emocione të shumta, të tilla si gëzim, lumturi dhe frikë. Emocion më i zakonshëm në ëndrra është ankthi: emocionet negative në përgjithësi zotërojnë mbi ato pozitive.

9- Ëndrra universale

Ëndrrat shpesh ndikohen nga përvojat tona personale, por shkencëtarët kanë zbuluar se disa tema janë të përbashkëta për të gjithë individët, për shembull, kur jemi duke u ndjekur nga dikush a diçka, duke u sulmuar ose duke rënë nga ndonjë lartësi. Përvoja të tjera të zakonshme përfshijnë provimet shkollore, ndjesinë e të qenët i paralizuar, mbërritja me vonesë etj.

10- Parandjenjat

A janë të mundura? Sipas dëshmisë së një miku të Abraham Linkoln, presidenti amerikan ëndërroi vrasjen e tij 10 ditë para se ajo të ndodhte vërtetë. Disa historianë, megjithatë, janë skeptikë. Sipas tyre, vetë Linkoln kishte kureshtje të theksuar në lidhje me ëndrrat, për të cilat besonte se kanë aftësi paralajmëruese dhe ky fakt sipas tyre mund ta ketë fryrë legjendën lidhur me vrasjen e tij.