Dy helikopterë ushtarakë u përplasën në ajër dhe u rrëzuan si pasojë gjatë kryerjes së stërvitjeve të martën në Malajzi, duke i lënë të vdekur të gjithë 10 njerëzit në bord, njoftoi marina malajziane.
Helikopterët po bënin ushtrime në një bazë të marinës në veri të vendit gjatë përgatitjeve për festën e 90-vjetorit të marinës kur u përplasën, tha marina në një komunikatë për media.
“Vdekja e të gjitha viktimave u konfirmua në vendin e ngjarjes”, tha ajo, duke shtuar mbetjet mortore të tyre janë dërguar në spital për t’u identifikuar.
Shtatë pjesëtarë të ekuipazhit ndodheshin në helikopterin AW139, i cili shërben për operacione detare, njoftoi marina.
Ky helikopter është prodhim i AgustaWestland, filialit të kontraktuesit italian të mbrojtjes, Leonardo.
Tre pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit ndodheshin në helikopterin e lehtë, Fennec, i cili është prodhim i Airbusit evropian.
Media vendore raportuan se AW139 u rrëzua pranë një kompleksi sportiv në bazën e marinës, derisa Fennec ra në një pishinë aty pranë.
Marina malajziane tha se do ta nisë një hetim për ta mësuar shkaktarin e aksidentit./rel