Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Dhjetë vjet nga mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive

 
   

Më 11 janar 2014 në Prizren u mbajt takimi i përbashkët i Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Kjo mbledhje e përbashkët që nga dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, u cilësua historike, ndodhi për herë të parë në historinë e dy shteteve.

Të dy kryeministrat Thaçi dhe Rama, nënshkruan “deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

Kjo marrëveshje përfshinte fushën e transportit dhe infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar.

Të dy kryeministrat u pajtuan që të themelojnë edhe një fond të përbashkët për Luginën e Preshevës.

Mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e hapi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin”.

Ndryshe, deri më tash janë mbajtur gjithsej shtatë mbledhje të përbashkëta të të dyja qeverive, e fundit në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje të reja, në mesin e tyre lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, njohja e diplomave.