Vlerësimi i riskut në vendin e punës, mundësitë e zhvillimit të biznesit në vend, përmirësimi i kushteve në vendin e punës si dhe ikja e punëtorëve jashtë vendit ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësueseve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës Hekuran Nikçi.
Përfaqësueset e Dhomës së Tregtisë u shprehën të hapura për bashkëpunim profesional me Inspektoratin e Punës me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe inputeve drejtpërdrejt nga bizneset, në mënyrë që të tejkalohen sfidat që hasin operatorët ekonomik gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, thuhet në komunikatën për media të DHTIK.
Bëhet e ditur se drejtoresha e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë Zana Beqiri, theksoi se me kërkesën e bizneseve DHTIK ka në fokus ngritjen e vetëdijes për respektimin e ligjit respektivisht rregulloreve të punës nga ana e bizneseve dhe punëtoreve.
Ndërsa kryeinspektori Nikçi theksoi se është i gatshëm për bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë, ku i njëjti rekomandon mbajtjen e trajnimeve me qëllim të këshillimit të bizneseve si punëdhënës dhe punëmarrësve rreth përgjegjësive dhe respektimit të të drejtave në vendin e punës.
“Si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë besojmë me vendosmëri se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë duhet të i kushtojnë më shumë vëmendje përmirësimit të kushteve të punës në vend. Kjo konsiderojmë mund të realizohet përmes masave të ndryshme”, thuhet në komunikatë.