![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/05/dhuna-ndaj-pjesetareve-te-kfor-policia-e-kosoves-arrestohen-5-persona-te-dyshuar-per-sulmet-ne-veri_6474f4cd86a23.jpeg?resize=850%2C567&ssl=1)
Policia e Kosovës raporton se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Në një njoftim për media, Policia ka thënë se disa pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur si rezultat i dhunës në veri të vendit, një makinë zyrtare e policisë është djegur dhe ka dëmtime në makinat e tjera.
Protestat vazhdojnë ende dhe situata është e tensionuar, veçanërisht në Zveçan, ku, sipas Policisë së Kosovës “grupe kriminale të armatosura janë në lëvizje, të veshura me rroba të zinj e maskuar”.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën. KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike”, thuhet në komunikatën për media të Policës së Kosovës, raporton REL.
Në Zveçan, sipas Policisë së Kosovës, protestuesit kanë vazhduar të jenë jo-paqësorë dhe “kanë provokuar situatën, kanë përdorur dhunë dhe kanë qëlluar në drejtim të zyrtarëve të policisë”.