Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se ditët në vijim do të shkojë në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Pas dy-tre ditësh pres që unë dhe Kurti të shkojmë sërish në Bruksel”, tha Vuçiç në RTS.
Por Vuçiç ka theksuar se nuk mund të flasë më shumë për agjendën, e cila sipas tij është në përputhje me atë që ka diskutuar me diplomatët perëndimorë që ishin të shtunën (21 tetor) në Beograd dhe Prishtinë.
“Pas kësaj do të kemi më shumë informacione. E jona është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, tha Vuçiç.
Kujtojmë se më herët sot, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u shpreh se kjo javë është shumë e rëndësishme për dialogun me Serbinë, por theksoi se nuk do t’i vërë pikën çdo gjëje.
“Natyrisht që është javë e rëndësishme por nuk do të thoja që është javë ku i vihet pika gjithçkaje. Kosova është e përkushtuar që të punojë me partnerët që të gjejmë zgjidhje përpara në mënyrë që marrëveshja e 27 shkurtit, marrëveshja e Brukselit dhe njëkohësisht aneksi i Ohrit i 18 marsit të zbatohen plotësisht, të zbatohen pa kushte dhe të mos ketë vetëm pjesë të caktuar të cilat kërkohen të zbatohen kurse Serbia të ikë nga obligimet e saj. Balancimi dhe vetëzbatimi i drejt dhe i balancuar i marrëveshjes është kyçe”, tha Osmani.
Osmani gjithashtu theksoi se është shumë e rëndësishme që hapat përpara të bëhen në koordinim me aleatët.