Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ditëve të fundit është vërshuar nga një fluksi i madh i mërgimtarëve, të cilët po kthehen për pushime në atdhe.
Numri i aterimeve vajtje-ardhje në ANP, është rritur dukshëm ditëve të fundit, krahasuar me ditë më parë.
Nga 37 fluturime në ardhje të cilat u realizuan ditën e enjte, numri i fluturimeve në ardhje u rrit dukshëm të premten, ku në ANP u realizuan 59 fluturime, vetëm ardhje.
Vetëm në dy ditët e ardhshme, gjatë vikendit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, priten të realizohen rreth 200 fluturime, vajtje-ardhje.
110 fluturime priten të realizohen diten e shtunë, 54 nga të cilat janë ardhje dhe 56 vajtje.
Ndërkaq të dielen në ANP janë paraparë të realizohen 89 fluturime, 44 nga to janë ardhje dhe 45 vajtje.
Vendet nga të cilat po realizohet numri më i madh i fluturimeve mbetet Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
“Këtë vikend presim numër më të madh të udhëtarëve në arritje”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara.