Aktivizimi i Anticiklonit të Azoreve do të diktojë kushtet e motit në territorin shqiptar, duke bërë që moti i kthjellët dhe temperaturat e larta të jenë dominate gjatë gjithë paradites, por pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të lehta e kalimtare në zonat e ulëta dhe vijën bregdetare ndërsa vranësira më të dukshme priten përgjatë zonave Verilindore dhe Juglindore. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në orët e mëngjesit por do të rriten maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 6°C vlera më e ulët në Pukë deri në 29°C vlera më e lartë e cila do të regjistrohet në qytetin e Beratit.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 35 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor, për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim 1 apo 2 ballë.
Kosova
Masat ajrore të qëndrueshme më origjinë nga veriu i Afrikës do të kushtëzojnë kushtet meteorologjike edhe në Republikën e Kosovës duke bërë që orët e paradites të dominohen nga moti i kthjellët dhe i ngrohtë ndërsa gjatë pasdites do të ketë kalime vranësirash të shpeshta, ku më të theksuara do të jenë në zonat Veriore dhe Veriperëndimore të Kosovës. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të mbeten konstante në vlerat minimale por rriten lehtë maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 5°C vlera më e ulët e shënuar në qytetin e Ferizaj deri në 25°C vlera maksimale në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë e lehte dhe mesatare duke arritur shpejtesinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi permanent Jugperëndimor
Maqedonia e Veriut
Edhe republika e MV do të mbizotërohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që moti i kthjellët dhe temperaturat e larta të jenë dominante. Orët e pasdites do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare nëpër të gjithë territorin e MV, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat kufitare me Bullgarinë. Temperaturat e ajrit do të mbeten njësoj në orët e mëngjesit por do të rriten maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 4°C minimalja deri në 27°C vlera maksimale në rang territori e cila do të shënohet në zonat veriperëndimore të MV. Ndërkohë era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtesi deri në 30 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor.
Europa
Anticikloni i Azoreve do të diktojë kushte e tij në pjesën më të madhe të kontinent Europian, ku mot të kthjellët dhe temperatura të larta do të përjetojnë gadishulli i Ballkanit, brigjet e Egjeut, gadishulli Iberik si edhe pjesërisht Europa Qendrore ndërsa si pasojë e zhvillimi të një qendre të fuqishme ciklonare në Veri – Veriperëndim të Europës do të sjellë në Ishujt Britanikë dhe gadishullin Skandinav; rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere. Për sa i përket vendeve të Europës Lindore do të mbizotërohet nga moti i kthjellët por relativisht i ftohtë./abcnews.al