Konfirmimi i deeskalimit nuk është në fjalët apo kushtet e marrëveshjes, por në veprimet e autoriteteve të Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës, tha Thomas Countryman, diplomat amerikan në pension me përvojë 35 vjeçare në këtë fushë.
Countryman, për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe tha se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të lehtësojë qetësimin e tensioneve aktuale që ndikojnë në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve.
“Nëse jo me tërheqje të plotë, atëherë së paku duke kufizuar qasjen për pjesëtarët e Policisë Speciale të Kosovës dhe lëvizjet që tregojnë një mirëkuptim të nevojës për pajtim politik dhe vendosjen e udhëheqjes legjitime në komunat në veri të Kosovës”, tha Countryman.
Countryman thotë se nuk pajtohet me pretendimet e autoriteteve kosovare se bashkësia ndërkombëtare zbaton një lloj qasjeje më të butë ndaj Serbisë, për ta shkëputur atë nga ndikimi i Rusisë.
“Brukseli dhe Uashingtoni po përpiqen të zgjidhin çështjet e hapura në atë rajon. Një gjë e tillë nënkupton aplikimin e diplomacisë së qetë, ndonjëherë shumë të zhurmshme dhe të qartë. Unë e kuptoj një perceptim të tillë të realitetit, por ata që e bëjnë nuk i kuptojnë arsyet që mund të motivojnë një qasje të tillë”, tha Countryman.
Perspektiva aktuale e dialogut Kosovë-Serbi mbetet në hijen e pritjeve për takimin e radhës të kryenegociatorëve, takim ky i cili pritet të mbahet nesër.
Kujtojmë se bashkësia ndërkombëtare, në krye me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, kërkojnë nga Kosova dhe Serbia deeskalim të menjëhershëm, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e garantuar të komunitetit serb. si dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kryeministri Kurti tashmë është pajtuar për tërheqjen e 25 përqind të pranisë së policisë në dhe rreth objekteve komunale në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, siç ka thënë ai pas verës dhe kthimin në dialog me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit.