Misioni i SHBA-së në OSBE ka dalë me një deklaratë për të treguar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuar për paqe në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor për këtë synim.
Në këtë deklaratë po ashtu është përmendur sulmi terrorist në Banjskë, që akoma nuk është ndëshkuar nga Serbia.
Në mes tjerash, SHBA thotë se Kosova i dorëzoi BE-së një raport prej 48 faqesh më 26 janar, duke paraqitur gjetjet e saj për sulmin në Banjskë.
Ndërsa është potencuar edhe dështimi i Serbisë për të mbajtur përgjegjës autorët e sulmit terrorist në Banjskë.
“Dështimi i Serbisë për të kërkuar përgjegjësi nga autorët e sulmeve të 24 shtatorit pranë Manastirit të Banjskës në Kosovë është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin e nevojshëm për normalizim. Menjëherë pas atyre sulmeve, ne i bëmë thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjësi të gjithë përgjegjës. Fatkeqësisht, ne duhet ta bëjmë këtë përsëri sot”, ka thënë misioni i SHBA-së.
“Ish-drejtuesi i Listës Srpska, i sanksionuar nga SHBA dhe BE, Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjska. Megjithatë, Radoiçiq dhe të tjerët që janë përgjegjës për veprimet e tmerrshme nuk janë mbajtur përgjegjës”.