Së paku 16 njerëz janë plagosur në rajonin Kmelnitski në perëndim të Ukrainës të mërkurën, si pasojë e sulmeve ruse me dronë.
Zyrtarët rajonalë ukrainas thanë se lëndimet ndodhën nga copëzat e dronëve rusë të rrëzuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.
“Në rrethinën Sepetivka, rrëzimi i caqeve ajrore bëri që copëzat e tyre të binin në territorin e një infrastrukture kritike”, tha nënkryetari i administratës rajonale, Serhiy Tyurin, të mërkurën.
Ai tha se një ndërtesë administrative, ndërtesat e banimit dhe veturat u dëmtua nga një shpërthim.
Gjashtëmbëdhjetë persona nga ndërtesat përreth u lënduan, shtoi ai.
Rusia i kreu sulmet me 11 dronë kamikazë në Ukrainë gjatë natës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës të mërkurën në mëngjes. Të gjithë dronët u rrëzuan, tha ushtria në Kiev.
Falë ndihmës nga Perëndimi, Ukraina ka mundur ta luftojë pushtimin e plotë rus tash e 20 muaj.
Vitin e fundit, Rusia i ka sulmuar rregullisht edhe caqet civile me raketa dhe dronë.
Caqe shpesh janë ndërtesat për furnizimin me rrymë, ngrohje dhe ujë për popullsinë. /rel