Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Federatën Botërore të zemrës organizojnë Ditën Botërore të Zemrës.
Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit më 29 shtator, me qëllimin kryesor të saj ndërgjegjësimin informimin dhe edukimin e njerëzve lidhur me sëmundjet kardiovaskulare (SKV), të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën.
Dita Botërore e Zemrës gjithashtu, synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose goditje në tru, prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.
Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaktari kryesor i vdekshmërisë në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit vdesin më shumë njerëz nga SKV-të, sesa nga çdo sëmundje tjetër.
5 milionë njerëz vdiqën nga SKV-të në vitin 2012, dhe shifrat janë në rritje duke përfaqësuar kështu 31% të të gjitha vdekjeve në nivel global. Nga këto 7.4 milionë ishin si pasojë e sëmundjeve koronare të zemrës, dhe 6.7 milionë si pasojë e goditjes në zemër.
Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit, 23 milionë njerëz në botë të vdesin nga SKV-të. Më shumë se tri të katërtat e vdekjeve nga SKV-të ndodhin në vendet me nivel ekonomik të ulët dhe të mesëm.
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti, diabeti apo faktorët e mënyrës së jetesës si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i shtuar i alkoolit, të cilat rrisin probabilitetin për të pasur një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare.
Për sa i përket barrës së vdekjeve, faktor kryesor rreziku i SKV-ve është presioni i lartë i gjakut, të cilit i atribuohet 13 % e vdekjeve globale, ndjekur nga përdorimi i duhanit 9 %, sheqeri i ngritur i gjakut 6%, pasiviteti fizik 6 % dhe mbipesha e obeziteti 5%.
Sot në botë, të gjithë ekspertët e shëndetësisë besojnë se SKV-të janë dukshëm të parandalueshme, duke evituar një numër të madh vdekjesh të parakohshme.
Sëmundjet kardiovaskulare, si të gjitha sëmundjet kronike, fillojnë që në barkun e nënës dhe shtohen me moshën; është provuar se pesha e ulët në lindje është e lidhur me një rrezik të shtuar për hipertension, sëmundje zemre, cerebrovaskulare dhe diabet në jetën adulte./kp