Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku për KP ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet qeverisë dhe konsumatorit.
Numri i ankesave të konsumatorëve nga 1 janari i këtij viti e deri më tani sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është gjithsej 969, prej tyre në proces janë 742, të zgjidhura 142 dhe të refuzuara 84.
Kreu i Shoqatës “Konsumatori” ka adresuar ankesa të shumta karshi pushtetit, duke thënë se Qeveria nuk po investon te konsumatorët.
Kaçaniku: Asnjë qeveri deri më tash s’ka dashur të krijojë bashkëpunim me konsumatorët
“Për fat të keq, asnjë legjislaturë e qeverisë nuk ka arritur apo nuk ka dashur të ngre ura bashkëpunimi me qytetarin konsumator dhe kjo dhemb shumë aq më shumë nëse e keni parasysh faktin se qytetari konsumator është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesues i buxhetit me të cilin e financojmë shtetin dhe ia japim në besim kompetencat qeverisë… Mungesa e bashkëpunimit shpreh edhe vetëdijen dhe kulturën, dhe po e ilustroj këtë me faktin që konsumatori është komponentë kryesore socio-ekonomike, sepse po të mos ekzistonte konsumi edhe konsumatori nuk do të kishte kuptim, nuk do të kishte kuptim as ekonomia, as tregtia, as biznesi e as qeveria“, theksoi ai.
Kaçaniku gjithashtu shtoi se dogana mund ta kontrollojë çdo produkt derisa shtoi se rastet më të shpeshta të mos kontrollimit janë prodhimet ilegale.
Kaçaniku: Kontrollimi i mallrave, detyrë e doganës
“Kontrollimi është detyra e doganës. Si shtetin ashtu edhe doganën e kemi themeluar për t’u kujdesur për ne që të na mbrojë. Nëse dogana dyshon se një produkt e ka kaluar kufirin në mënyre ilegale, ka të drejtë të kontrollojë gjithë territorin e Kosovës në çdo kohë dhe nuk mund ta ndalojë askush. Doganat dhe të gjithë mekanizmat e tjerë në bashkëpunim me doganën e kontrollojnë 1.5 përqindje të mallrave që hynë në baze të ekzemplarit të rëndësishëm që sipas disa statistikave konsiderohet si e mjaftueshme, por nuk është e mjaftueshme pasi ne po e shohim se një për qind e kontrollit nuk po mjafton, aq më pak duke pasur parasysh se rreth kufirit tonë ka shumë kalime ilegale, ka shumë kontrabandë. Ne akoma anën veriore të Kosovës nuk e kemi nën kontroll dhe kontrabanda është biznes shumë fitimprurës,” u shpreh ai.
Ndryshe, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve. Kosova ka ligjin e saj për mbrojtjen e konsumatorit, e cila është miratuar në qershor të vitit 2004. Ky ligj përfshin të drejtën e informimit, sigurisë dhe të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar.