Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e aleancave të forta për mbrojtjen e demokracisë gjatë një deklarate në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ajo deklaroi në platformën X se demokracia është aq e fuqishme sa vullneti i popullit për ta përqafuar dhe mbrojtur atë, duke shtuar se vitet e fundit demokracitë janë testuar, veçanërisht në Evropë.
Osmani ndau edhe pjesë nga fjalimi i saj në Samitin e Demokracisë në Kopenhagë, duke vënë theksin mbi sulmet ndaj vlerave demokratike nga autokratët.
“Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një sulmi të pamëshirshëm ndaj vlerave demokratike nga autokratët, të cilët e shohin demokracinë si një kërcënim për ambiciet e tyre. Megjithatë, sa më e fortë të jetë dëshira e tyre për të minuar demokracinë, aq më e fortë duhet të jetë vendosmëria jonë për ta mbrojtur atë,” deklaroi Osmani.
Në fund, ajo theksoi se aleancat e forta kanë qenë dhe do të mbeten burimi kryesor për mbrojtjen e demokracisë në nivel global.