Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Djali i Nuredin Lushtakut thotë se në natën kritike zyrtari policor e kishte shtrënguar në qafë

 
   

Prizren- Dëshmitari Arbër Lushtaku në seancë ndaj ish-nënkryetarit të Komunës Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe dy vëllezërve të tij Faton dhe Arif Lushtaku, deklaroi se në natën kritike zyrtari policor, Enver Berisha e kishte kapur dhe shtrënguar të qafa.

Tre vëllezërit Lushtaku po akuzohen se e kanë sulmuar dy zyrtarët policorë, pasi që ia kishin shqiptuare një gjobë Arbër Lushtakut, djalit të Nuredin Lushtaku.

“U ardhë tek unë prapë dhe ka filluar duke ma qitur dorën në qafë më ka shtrënguar, i kam thënë largoje dorën mos më prek, ai prapë ka filluar me dorë duke ma hi në faqe kapak”, tha Lushtaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai gjithashtu ka deklaruar se gjatë ndaljes nga zyrtari policor, ai e kishte rripin e sigurisë gjatë tërë kohës dhe se nuk e kuptonte se pse po iu shqiptohej gjoba.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Mejdi Sefa, ai deklaroi se pasi kishte parë që po vinte edhe patrulla e dytë, e kishte pyetur policinë pse po ia shqiptonin dënimin dhe gjithashtu kishte thirrur në telefon babain e tij, Nuredin Lushtaku.

I pyetur nga avokati i të akuzuarit Nuredin Lushtaku, Driton Muharremi, se në natën kritike a kishte parë me armë në dorë të mbrojturin e tij, ai deklaroi se nuk kishte parë me armë asnjërin nga të akuzuarit.

Arbër Lushtaku shtoi se pasi që kishin marr tiketën dhe kishin filluar të largoheshin nga vendi i ngjarjes së bashku me të akuzuarit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku zyrtari policor, tani i dëmtuari Berisha kishte filluar të ofendonte.

“Kur kemi filluar me ecë unë me prindin dhe agjallarët, polici Enver ka filluar me ardhë mbrapa neve, edhe ka fillu me fjalë fyese dhe me tonë të lartë, dhe se nuk më kujtohet saktë se çka por e di se e ka sharë me nënën prindin”, tha dëshmitari Lushtaku.Seanca ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitarit Olti Birngjiku, i cili deklaroi se në atë kohë,  të dëmtuarin Berisha e kishte njohur vetëm si emër dhe se ishte polic dhe jo më shumë.

Në fund, mbrojtësi i Lushtakut, avokati Muharremi ka propozuar që të ftohen ekspertët nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe eksperti mjeko-ligjor, ku ky propozim u aprovua edhe nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e ngritur më 19 gusht 2022, të akuzuarit Faton Lushtaku, Arif Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku, akuzohen për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Sipas aktit akuzues, ata po ngarkohen se më 2 korrik 2022 në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, të pandehurit, së bashku kanë sulmuar personat zyrtarë, policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci, të cilët gjatë kryerjes se detyrës se tyre zyrtare, duke zbatuar kontrollin rutinë, kishin ndalë në komunikacion dëshmitarin Arbër Lushtaku, i cili ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “Golf VII” dhe i kanë shqiptuar një tiketë për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit- mosvënies së rripit të sigurisë.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirr në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku, i cili menjëherë vjen me automjetin e tij së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku i pandehuri Nuredin kishte filluar të fjaloset me zyrtarin policor Enver Berisha dhe se pas konflikti verbal Nuredini, Fatoni dhe Arifi iu kishin vërsulur të dëmtuarit Enver dhe me dorëz të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar, e kishin goditur të dëmtuarin Enver në kokë, i cili nga goditjet ishte përkulur për tokë, dhe të pandehurit i janë hedhur sipër mbi trup, duke e goditur me grushta dhe duke tentuar t’ia heqin armën nga dora, ku në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës, nga e cila ishte goditur i dëmtuari- polici Mërgim Geci në këmbën e djathtë tek nyja e gishtit të madh.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Enver Berisha kishte pësuar, gërvishtje lëkurore të gishtit të tretë të shuplakës së dorës së majtë, gjakderdhje nënlëkurore në regjionin muror të anës së djathtë të kokës, plagë qarëse, shqyrëse, ndërsa te i dëmtuari Mërgim Geci ishin shkaktuar lëndime trupore në regjionin e gishtit të madhe të shputës se këmbës se djathtë, me thyerje të shumëfishtë te kockës se shputës së gishtit të parë të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës se hedhur nga arma e zjarrit, e që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Për këto veprime, të akuzuarit Lushtaku po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.6 lidhur me par.2 e 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Gjithashtu, të akuzuarit Lushtaku po ngarkohen se kanë mbajtur në pronësi armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët – Ligjin 05/L-22 të Republikës së Kosovës, e për këtë ata po ngarkohen se kanë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, në bashkim real me veprën penale në pikë I të dispozitivit.

Aktakuza e Prokurorisë, ta akuzuarit Lushtaku i ngarkon edhe me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për shkak së të njëjtit më 2 korrik 2022, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm mbi armët, ashtu që me kondak të armës e kanë goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore.