Dje, në Prishtinë është zbuluar “Muri i Nderit”, i cili është ndërtuar si dëshmi e guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera këto që e formësojnë historinë e përbashkët të popullit shqiptar me atë izraelitë.
Tek “Muri i Nderit” janë shkruar emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Por për këtë ka reaguar historiani Jusuf Buxhovi ku sipas tij kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët.
Ky është reagimi i plotë i Buxhovit:
Këto ditë, në Prishtinë, u promovua memoriali “Muri i nderit – Wall of honoror” , si shkruhet, me emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Meqë memoriali është publik (i vendosur në parkun e qytetit) domosdoshmërisht merr rolin e një dëshmie historike, që lidhet me rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve nga holokausti. Por, nga pikëpamja historike, kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët, për ç’ gjë ka edhe dëshmi të shumta edhe nga autorët e njohur izraelit. Me këtë rast po sjell vetëm një prej tyre, atë të Joy Weistain, për t’u parë ky veprim ndër më të guximshmit e kohës në raport me Vermahtin gjerman:
“Në fund të vitit 1943 gjermanët kërkuan një listë të të gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri dhe në pranverën e vitit 1944 nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës një listë të ngjashme që hebrenjtë të mblidheshin në një vend. Në bazë të thirrjeve të liderëve hebrenj, ministri i Brendshëm Xhafer Deva REFUZOI kërkesën e gjermanëve, duke u shprehur se një lëvizje e tillë do të përbënte INTERFERENCË në çështjet shqiptare”.
Jay Weistein, “Hebrenjtë në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”,në Michigan Sociological Review 1996.