Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Djegia e bredhit dhe fyerjet ndaj Arton Turkajt, analisti ngre alarmin: Kosova e rrezikuar nga ekstremizmi fetar, shteti të marr masa

 
   

Më datën 28 dhjetor policia e stacionit në Han të Elezit ka pranuar një informatë se bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit ishte kapluar nga zjarri.

Patrulla e policisë kishte dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që një ekip e zjarrfikësve kishte lokalizuar zjarrin.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe fillimisht ishte inicuar një rast për hetim “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kurse, rreth orës 09:30 policët patrullues në Han të Elezit kanë vërejtur se në disa rrugë të qytetit në Han të Elezit ishin vendosur disa afishe me mbishkrimin “Viti i ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jo myslimanëve’’ dhe për këtë policia në koordinim me prokurorin kishte nisur hetimet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Përçarje e mosdurim këtyre ditëve kishte edhe në rrjetet sociale, ku militantë fetarë hodhën vrerë ndaj gazetarit Arton Turkaj, i cili vdiq pas një sulmi në zemër.

Komentet ndaj gazetarit ishin plot mllef, vetëm pse ai nuk frikësohej t’i thoshte hapur mendimet e tij hapur për çështje të ndryshme shoqërore e politike, duke përdorur sairën.

Këto dy raste janë dëshmi në lidhje me prezencën e ekstremizmit fetar në Kosovë.

Publicisti Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se shteti po e luan të “shurdhrin” karshi ekstremizmit fetar në Kosovë.

Kjo sipas tij edhe për shkak të islamit politik.

 Image
 Nexhat Haziri 
 

“Ka kohë që shteti po e luan të shurdhëtin dhe qorrin në raport me ekstremizmin fetar në Kosovë, në veçanti atë islamik duke krijuar teren që ky fenomen të jetë shumë aktiv dhe i fuqishëm në Kosovë, deri në majat e vendimmarrjes politike. Krejt kjo po bëhet po ashtu edhe për shkak të “koketimit” të partive politike me islamin politik që drejtohet nga i vetquajturi Myftiu i Republikës Naim Tërnava, apo Putini i BIK-ut, i cili përpos fuqisë së madhe që tashmë ka brenda BIK-ut, ai po ashtu ka edhe një fuqi të madhe politike, sidomos tani kur më së paku 10 deputet në Kuvendin e Kosovës i nënshtrohet urdhërave të tij dhe realisht është pjesë e koalicionit qeveritar që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Sipas Hazirit, zhvillimet e fundit si djegia e bredhit në Han të Elezit e fyerja e gazetarit të ndjerë Arton Turkaj, do të duhej të përbënin alarm për institucionet.

“Zhvillimet e fundit siç ishte djegia e në Han të Elezit, thirrjet për bojkotim të festave të fund vitit e deri të komentet fyese për gazetarin tashmë të ndjerë Arton Turkaj, janë veprime që i karakterizojnë organizatat terroriste si Hamas e të tjera, e që do të duhet të përbënin alarm për institucionet e vendit, në veçanti ato të sigurisë për veprim dhe masa ligjore për ta parandaluar një rrezik që po i kanoset vendit me pasoja edhe për të ardhmen tonë si shoqëri demokratike, laike dhe perëndimore”, ka potencuar Haziri.

Haziri ngre shqetësimin se përball këtyre veprimeve institucionet e sigurisë nuk po ndërmarrin asgjë, derisa thekson se nëse vazhdohet njësoj, pasojat do të jenë shumë të mëdha.

“Sot kur po flasim, individë të shumtë, organizata gjoja joqeveritare nën petkun e humanitetit, imam të shumtë përmes rrjeteve sociale, tubimeve të ndryshme nëpër xhami dhe jo vetëm, propagandojnë kundër rendit kushtetues të vendit, bëjnë thirrje për vendosje të sheriatit, nxisin urrejtje dhe mos durim fetar deri në thirrje për vrasje, dhe për fat të keq institucionet e sigurisë vazhdojnë indiferencën e tyre thuajse asgjë nuk po ndodhë. Dhe nëse vazhdon ky injorim nga institucionet e sigurisë dhe ligjit ndaj këtij fenomeni të ekstremizmit fetar, pasojat do të jenë shumë të mëdha për vendin”, ka përfunduar ai.