Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Djemtë e bëjnë llom babanë e tyre të moshuar në Rahovec, 73-vjeçari kërkon ndihmë në spital

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, ku dy persona dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj babait të tyre të moshuar.

Sinjali mëson se 73-vjeçari ka marrë lëndime trupore si pasojë e dhunës së përjetuar dhe për këtë shkak ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arritur që të arrestojnë dy të dyshuarit.

Dy vëllezërit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin, teksa kanë deklaruar se gjithçka ka ndodhur pas një hidhërimi mes tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.