Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Do ta gjesh derën hapur”/ Pse efektivja qëlloi veten me plumb në zemër? Zbardhen detajet

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar pasditen e djeshme në Tiranë, ku efektivja 21-vjeçare Aldorjana Loshi, vrau veten me armën e shërbimit në banesën e saj në rrugën “Todi Shkurti”.

Motivet që e kanë shtyrë drejt aktit ekstrem janë ende të paqarta, por dyshohet se kanë qenë debatet me të dashurin e saj, shtetasin Endri Nika, 28 vjeç nga Kamza. Ky i fundit është arrestuar nga blutë e kryeqytetit, teksa akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Viktima kishte rreth një vit e gjysmë që punonte si efektive e patrullës në Kamëz, teksa mësohet se me 28-vjeçarin kishin rreth 3 muaj që kishin nisur romancën, i cili ishte dhe djali i kolegut të saj.

Kohët e fundit, çifti kishte patur një konflikt mes tyre dhe prej disa ditësh Aldorjana Loshi nuk ia hapte telefonin të dashurit të saj.

Burime për mediat bëjnë me dije se në mesazhin e fundit që efektivja e Policisë i kishte dërguar Endri Nikës, i kishte shkruar se nëse do të vinte, do ta gjente derën e apartamentit hapur.

Me dyshimin se diçka nuk shkon, 28-vjeçari nga Kamza, u nis drejt lagjes së “Ali Demit” në Tiranë. Asnjë përgjigje pas derës së apartamentit ku 21-vjeçarja jetonte e vetme me qira.

Aldorjana Loshi e kishte qëlluar veten me plumb në zemër, ku dyshohet se ajo i ka dhënë fund jetës rreth orës 18:00. Kur u përball me tragjedinë i dashuri 7 vite më i madh se Aldorjana, i telefonoi menjëherë policisë i lënduar. Më pas, Endri Nika dyshohet se ka marrë telefonin e të dashurës dhe ka fshirë të gjitha bisedat që kishin patur bashkë, po ashtu të njëjtën gjë ka bërë edhe me telefonin e tij.

Kjo gjë u zbulua rreth mbrëmjes, gjë e cila e çoi në pranga 28-vjeçarin për veprime që e pengojnë zbulimin e së vërtetës në motivin e vetëvrasjes së efektives 21-vjeçare.

Kolegë të saj bëjnë me dije se Aldorjana Loshi nuk kishte shfaqur asnjë shenjë depresioni, teksa e njihnin dhe si një vajzë të qetë.

Ajo që e kishte vrarë gjithmonë, është mungesa e babait, i cili nuk jetonte. “Babai është dashuria e parë e çdo vajze”, mbante shënim në krye të faqes së saj në Instagram, efektivja.

Aldorjana Loshi do të prehet të dielën në vendin e saj të lindjes në fshatin Konaj, teksa miq, të afërm, kolegë të saj e dashamirës do i japin lamtumirën në një ceremoni në Katedralen e Rrëshenit.