“Popullin serb e pret edhe një luftë tjetër, lufta për çlirim nga Bosnja e Hercegovina”.
Kështu u shpreh të enjten udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik gjatë një fjalimi që mbajti në Ditën e Fitores mbi Fashizmin në Banja Luka të Republikës serbe.
Milorad Dodik në një fjalim gjatë përkujtimit të Ditës së Fitores mbi Fashizmin në Banja Luka të Republikës Serbe, tha se është koha për të luftuar për “çlirimin” nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Fitorja mbi fashizmin është e përhershme dhe nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër. Rezistenca jonë ndaj çdo forme presioni të ushtruar këtu është jashtëzakonisht e fortë. Ne kemi një luftë tjetër që na pret dhe ajo është lufta për çlirimin nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha ai përcjell Tëvë 1.
Ai gjithashtu ka pretenduar se e enjta është ditë pune në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe se në Republikën Serbe Dita e Fitores mbi Fashizmin festohet si festë kombëtare dhe nuk punohet.
“Le të punojnë ata, por neve nuk do të na imponojnë se kur dhe çfarë do të shënojmë. A do të përpiqeni të impononi që të mos festojmë 9 janarin Ditën e Republikës Serbe, festimi i së cilës u kundërshtua nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës”, tha Dodik.
Dodik, prej kohësh, ka bërë thirrje për shkëputjen e Republika Sërpska, rajon i banuar me shumicë serbe në Bosnje.
Një vit më parë, lideri serb nderoi me medalje presidentin rus Vladimir Putin.
Në vitin 2021, çmimin e mori edhe shkrimtari austriak Peter Handke, i cili është kritikuar për banalizimin e krimeve serbe të luftës.
Nacionalisti serb është kritikuar për kërcënime dhe veprime që synojnë shkëputjen e Republikës Srpska nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës.
Ndër të tjera, Dodik siguroi që vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Sarajevë të mos njihen në këtë pjesë të vendit.
Ai gjithashtu nuk e njeh autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt.