Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dokumenti i BE-së ku njoftohet se Spanja ka njohur pasaportën: S’do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës

 
   

dokumentin e Bashkimit Evropian ku njoftohet që Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, thuhet se kjo nuk nënkupton njohje të shtetësisë së Kosovës.

E vendimi për njohjen e pasaportave të Kosovës është marrë nga 1 janari.

“Spanja njohu nga 1 janari 2014 pasaportat që lëshohen nga Republika e Kosovës. Ky ndryshim nuk përbën në asnjë mënyrë njohje zyrtare të Kosovës”, thuhet në këtë dokument.

Për njohjen e pasaportave nga Spanja ka njoftuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë lirshëm në Spanjë.

“Qytetarët e Kosova mund të udhëtojnë në Spanjë tani. Bazuar në njoftimet e shteteve anëtare të BE-së deri më 5 janar 2024, Mbretëria e Spanjës njeh pasaportat e zakonshme të Republikës së Kosovës që nga 1 janari 2024”, ka njoftuar Gërvalla përmes platformës “X”.

E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se tashmë qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë.

Ai iu referua Drejtorisë së Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme të Bashkimi Europian (DG Home) se ka njoftuar për këtë.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Spanja ka qenë vendi i vetëm i Schengen zonës që ka refuzuar t’i lejojë qytetarët e Kosovës të futen në territorin e saj për shkak të mosnjohjes së pasaportës.