Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, ka propozuar zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës për në vendet fqinje Egjipt dhe Jordani.
Trump, duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, tha se e ka ngritur këtë çështje gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me Mbretin Abdullah II të Jordanisë , ndërsa tha se do të flasë edhe me presidentin egjiptian Abdel Fattah al Sisi.
Presidenti amerikan e përshkroi Gazën si një vend të rrënuar, ndërsa tha se zhvendosja e palestinezëve në këto vende do të mundësonte, siç tha ai, “pastrimin” e të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.
“I thash atij (mbretit të Jordanisë) se do të doja që ju të merrnit më shumë, sepse po shikoj të gjithë Rripin e Gazës tani dhe është një rrëmujë, është një rrëmujë e vërtetë. Unë do të doja që Egjipti të marrë njerëz. Unë do flas edhe me gjeneralin al-Sisi nesër dikur besoj. Do të doja që Egjipti të marrë njerëz. Dhe unë do të doja që Jordania të marrë njerëz. Ju po flisni për një milion e gjysmë njerëz dhe ne thjesht e pastrojmë të gjithë këtë gjë”, tha Trump.
Trump shtoi se kjo lëvizje “mund të jetë e përkohshme ose mund të jetë afatgjate”.
Nga ana tjetër, Bassem Naim, një zyrtar i lartë i Hamasit, tha se palestinezët “nuk do të pranojnë asnjë propozim apo zgjidhje” nga Trump e cila parasheh largimin e tyre nga atdheu, edhe nëse kjo, sic tha Naim, shfaqet në publik si qëllim i mirë dhe me arsyetimin e rindërtimit.
Trump tha në fillim të kësaj jave se ai “mund” të jetë në gjendje të luajë një rol në rindërtimin e Gazës.
Presidenti i ri amerikan konfirmoi gjithashtu se ai kishte hequr kufizimin që kishte vendosur administrata Biden për sigurimin e bombave 2000 paund për Izraelin.
Për këtë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e falënderoi Trumpin të dielën, duke thënë se ky i fundit e ka mbajtur premtimin e tij për t’i dhënë Izraelit mjetet që i nevojiten për të mbrojtur veten.
Komentet e Trump prishin dekada të politikës së jashtme të SHBA-së, e cila ka theksuar prej kohësh se është pro një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën.
Ka kohë që ekziston një frikë në rajon se Izraeli dëshiron t’i shtyjë palestinezët nga Gaza në vendet fqinje, një premisë që Izraeli e mohon, por e cila mbështetet nga fraksionet e ekstremit të djathtë të koalicionit të tij qeverisës.
Sipas Kombeve të Bashkuara, përafërsisht 90% e banorëve të Gazës janë zhvendosur dhe shumë banorë janë detyruar të lëvizin vazhdimisht, disa më shumë se 10 herë.
Tags: donald trumpGazaTeve1