Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dorëzimi i draftit të Asociacionit nga pesëshja evropiane te Kurti, Abdixhiku: Kosova është në terr informativ

 
   

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha sot se janë bërë një javë prej kur është bërë dorëzimi i draftit të statutit të Asociacionit nga pesëshja evropiane te kryeministri Albin Kurti dhe pavarësisht gjithë këtyre ditëve vendi është në terr të plotë informativ.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë, se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë.

Lexoni të plotë postimin e kryetarit të LDK-së:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Sot, bëhen një javë që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës. Që nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ.

Tre ditë më parë, në prani të udhëheqësve kryesorë evropianë, ky dokument, u pranua për herë të parë nga kryeministri i Kosovës. Për herë të parë sepse kurrë më parë nuk kishim patur një dokument statuti. Kurrë më parë nuk ishte arritur kaq larg.

Tani, yjet politike janë përplot ironi.

Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik.

Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi.

Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë.

I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend.

Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim.

Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian.