Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, Arben Çejku, ka folur për draftin e hartuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që tashmë iu është dorëzuar dhe vendeve partnere.
Sipas ish-ambasadorit do të ishte më fer nëse Rama do t’ia kishte dorëzuar këtë dokument edhe Kosovës, teksa e cilësoi si një presion ndaj kryeministrit Albin Kurtit nga SHBA përmes Shqipërisë.
“Që të jem realist marrëdhëniet Kurti-Rama janë të pakuptueshme. Njëherë luajnë me duar, njëherë nduken dhe njëherë me mbledhje false pa produkt. Nuk i dimë marrëdhëniet si janë personale dhe shtetërore. Dokumenti që ka përgatitur Rama do të duhej t’i ishte dorëzuar më parë dhe Kosovës dhe ndërkombëtarëve.
SHBA-të duke na konsideruar partnerë e kanë kuptuar situatën e vështirë ku ndodhesin negociatat me Kosovën, mendoj se e kanë përdorur Shqipërinë për të ushtruar presion mbi Kurtin.
Unë nuk besoj se dokumenti i propozuar nga Rama garanton zgjidhjen teknikisht në terren, por mendoj se ishte një mesazh që edhe Shqipëria nuk po pajtohet me Kurtin dhe kjo u duk nga përgjigja ironike e këtij të fundit. Dhe më pas u anulua dhe mbledhja e dy qeverive, si një lloj dëshmie, që Shqipëria nuk pajtohet. Për sa kohë që Shqipëria rreshtohet me SHBA dhe NATO, mendoj se është në rrugën e mbarë. A përkëdhelet faktori serb? Kjo është çështje tjetër”, tha Çejku në A2CNN.