Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dje gjatë një konference për medie ka folur në lidhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe për Vettingun në drejtësi.
Mes tjerash ajo tha se nuk mund të kalojë një vit për të marrë një mendim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me Vettingun.
“Unë po uroj që Gjykata Kushtetuese t’i trajtojë me ndjesinë e njëjtë sikurse ne si Qeveri për faktin se reformat në drejtësi para së gjithash dhe mbi të gjitha bëhen për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe thjesht nuk mundet që të kalojë një vit deri sa të marr një mendim prej Gjykatës Kushtetuese” – tha ministrja.
Kujtojmë se më 2 mars të vitit 2023, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kishte njoftuar se pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vettingun në sistemin e drejtësisë, i ka përcjell amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në lidhje me gjendjen aktuale të sistemit për drejtësisë në Kosovë foli për gazetën “Bota sot” juristi Muhamet Kelmendi.
Muhamet Kelmendi
Kështu, ai theksoi se dëmet nga sistemi i kapur i drejtësisë janë të mëdha
Sipas tij, sistemin gjyqësor në Kosovë është në një gjendje të rëndë, pasi lëndët janë grumbulluar dhe zgjidhja e tyre është vështirësuar.
“Bartja e lëndëve nga vitet mëparshme i kushton vendit me miliona Euro. Mos edhe i tejkalon shumën e qindra milionave. Sidomos lëndët në fushën civile bartin shumë të lartë të dëmit. Mirëpo, as lëndët në fushën penale nuk janë pa dëme.
Ne fushën civile janë kryesisht lëndët nga prona dhe pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme. Aty hyjnë dëmet e ndryshme materiale, ato morale etj. Këto shkojnë me miliona e qindra miliona”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi theksoi po ashtu se dëmi nga fusha penale është i dyfishtë.
“1. Koha e kaluar në arrest ka shumë shpenzime dhe
2. Tejzgjatja e procedurave penale pa prova dhe dëshmi konkrete.
Në kuadër të kësaj janë disa shkaqe që duhet përmendur pse po ndodhë një gjendje e tillë:
Se pari, varësia nga grupet informale të interesit nga fusha politike, juridike dhe ekonomike,
Së dyti, procedurat e dy e trefishuara, nëpër instanca të ndryshme, duke rikthyer lëndët.
Së treti, zgjidhet jo të drejte të lëndeve dhe në kundërshtim me ligjin dhe
Së katërti, kuadri i dobët, frikacak dhe jo profesional e i varur nga strukturat politike të sistemit”, potencoi ai.
Sipas juristit gjendja e tillë “shërohet”, mirëpo kjo kërkon intervenim të ashpër.
‘Ajo duhet te fillojë nga KGJK dhe nga KPK dhe të kalojë të prokuroritë dhe të gjykatat, në të gjitha nivelet.
Ky intervenim duhet të bëhet mbi bazën e një VETTING-u që ndikon në profesionalizim e sistemit dhe në pavarësi të të gjithë strukturës së drejtësisë. Kjo arrihet me VETTING”, përfundoi ai.