Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, ka thënë të mërkurën se do të japë dorëheqje para se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ta marrë detyrën muajin e ardhshëm.
Wray e bëri të ditur këtë gjatë një takimi të brendshëm të FBI-së të mërkurën.
Presidenti i zgjedhur Trump ka shfaqur dëshirën për ta zëvendësuar Wrayn me Kash Patelin.
Wray, i cili ishte nominuar nga Trumpi më 2017 për të shërbyer për një mandat 10-vjeçar, është përballur me kritika viteve të fundit nga republikanët, për shkak të hetimeve që FBI-ja i kreu ndaj Trumpit pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Duke dhënë dorëheqjen në vend se të presë shkarkimin, Wray po përpiqet ta shmangë ndonjë përplasje me administratën e re të Trumpit, e cila, sipas tij, do ta kishte përfshirë FBI-në “edhe më thellë në konflikt”.
“Qëllimi im është ta mbaj përqendrimin te misioni ynë — që është puna e domosdoshme që ju bëni çdo ditë në emër të popullit amerikan”, u tha Wray punonjësve të FBI-së.
“Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të shmangur zhytjen e byrosë më thellë në konflikt, duke forcuar vlerat dhe parimet që janë kaq të rëndësishme për mënyrën si e kryejmë punën tonë”, shtoi ai.
Trump e kishte bërë të qartë zemërimin e tij me Wrayn në disa raste.
Në një intervistë rishtazi për programin “Meet the Press” të NBC-së, Trump tha: “Nuk mund të them se jam i kënaqur me të. Ai pushtoi shtëpinë time”, duke iu referuar bastisjes së FBI-së në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago, dy vjet më parë në lidhje me rastin e dokumenteve të klasifikuara nga mandati i tij i parë si president.
Por, Wray rrallëherë dukej se përpiqej të përballej publikisht me Shtëpinë e Bardhë./rel