Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Drejtori i QS-së: Ushqimi dhe higjiena sipas standardeve, monitorim nga sanitari i Agjencisë së Ushqimit

 
   

Shpërndarja e pamjeve në rrjetet sociale të ushqimit të studentëve me krimba dhe insekte, sipas drejtorit të Qendrës së Studentëve ka për qëllim dëmtimin e imazhit të kësaj qendre.

Në një prononcim për eo, Fahri Osmani ka theksuar se ushqimi që u ofrohet studentëve ofrohet me siguri të lartë, si dhe higjiena është vlerësuar pozitivisht nga inspektorët e brendshëm dhe sanitari i Agjencisë së Ushqimit.

“Kemi parë disa imazhe jo të mira për ushqimin në mensë në disa rrjete sociale. Me keqardhje e themi se këto janë të orkestruara. Lutemi që të mos bien pre as studentët e as opinion të këtyre imazheve dashakeqe e që kanë për synim dëmtimin e imazhit të mensës dhe Qendrën e Studentëve në përgjithësi. Me studentët vazhdimisht jemi në kontakt, me përfaqësuesit legjitim të studentëve të Parlamentit Studentor patëm drekë punë , nga vlerësimet që i marrim çdo ditë nga ana e studentëve kemi vetëm fjalë të mira për shërbimet që i ofrojmë studentëve. Siguria e ushqimit është në nivelin më të lartë, llojllojshmëria e ushqimit është e lartë, jemi model shembull, jo vetëm si institucion në Kosovë, por edhe në rajon si mensa e studentëve për cilësinë dhe sigurinë e ushqimit që ne ofrojmë për studentët tanë”, ka deklaruar Osmani.

Drejtori i mensës shtoi se mensa monitorohet rregullisht për nivelin e lartë të higjienës dhe shërbimeve të ofruara. Ai shtoi se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se institucionet kanë dhënë vlerësime pozitive.

“Ne monitorohemi nga institucionet kemi inspektoratin e brendshëm i cili në baza ditore inspekton dhe raporton gjendjen në mensë, por ne ndërkohë në mënyrë periodike kontrollohemi dhe monitorohemi nga sanitari i Agjencisë së Ushqimit. I kemi pasur për inspektim, inspektorati sanitar ka qenë edhe para dy jave, kemi raportin e tyre. Mbi bazën e raportit dhe gjendjes që është faktike flasin raportet se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përkundrazi ka vlerësim maksimal për nivelin e higjienës që kemi ne si institucion dhe për shërbimet që ne ofrojmë në raport me studentët”, theksoi ai.

Osmani u bëri thirrje studentëve të lajmërohen zyrtarisht për çdo shqetësim dhe të mos bien pre e informacionit të pasaktë që ka për qëllim dëmtimin e imazhit të mensës.

“Thirrja ime për çdo shqetësim nga ana e studenteve të lajmërohen në mënyrë zyrtare, ngase ata na ndihmojnë neve ata janë pasqyra jonë dhe jemi nën funksionin e tyre për të bërë më të mirën për ta. Kështu që mos të bien studentët pre e lajmeve të cilat qarkullojnë dhe janë dashakeqe e të orkestruara dhe kanë vetëm një qëllim dëmtimin e imazhit të mensës dhe Qendrës së Studentëve”, përfundoi Osmani.