Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dreshaj i AAK-së: Vendi të shkojë në zgjedhje, Kuvendi ka nevojë për energji të re

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se më e mira për vendin është të shkojë në zgjedhje, pasi siç thotë ai, Kuvendi ka nevojë për energji të re të cilën e ka humbur Qeveria aktuale.

“Më e mira për vendin është me shku në zgjedhje sa më herët. Kuvendit i ka humbur energjia. Qeveria s’e ka më interesin qysh e ka pas. Ligjet zvarriten. Të gjitha rrethanat politike, ekonomike, marrëdhëniet me ndërkombëtarët tregojnë që vendi ka nevojë për zgjedhje të reja, energji të re në Kuvend”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Dreshaj ka pasur kritika për Qeverinë edhe për mënyrën se si e ka trajtuar çështjen e dinarit. Ndërkombëtarët kanë thënë se çështja e dinarit duhet të diskutohet në dialog, të cilën kërkesë e ka refuzuar Qeveria e Kosovës duke konsideruar se kjo është “çështje e brendshme”.

Por sipas deputetit të AAK-së, Qeveria po ec në minat që i ka vendosur vetë.

“Qeveria po ec në minat që i ka vendosur vetë. Po bën hapa të pamatur. Dinari s’është çështje e dialogut, është çështje e brendshme. Por kjo nuk është dashur të zgjidhet pa e përgatit terrenin apo të jepet ndonjë afat për inkorporimin e euros. Duhet të zgjidhet. Por ka mundur të zgjidhet me biseda paraprake dhe jo tash ‘post-festum’ që të bëhet problem më i madh sa që realisht është. Kjo qeveria ka shkuar në dialog edhe për çështje më të vogla. Çdo herë u mësu me bo një hap para, e mu tërheq tre hapa mbrapa. Rasti i targave, i rrymës”, ka thënë ai.

Dreshaj ka rekomanduar Qeverinë që të ulen me Bankën Qendrore të Kosovës për të diskutuar modalitete se si të ecet tutje.

Megjithatë, ai ka vlerësuar për “qasje më të matur” presidenten Vjosa Osmani.

“Me kryeneçësi, me arrogancë, me pamaturi nuk shtyhet vendi përpara. Presidentja ka pasur qasje më të matur dhe i takon ta ketë këtë qasje. Roli dhe ndikimi i saj në nivel të Qeverisë nuk e di sa është. Do të shihet në vazhdim. Presidentja ka qenë më e arsyeshme”, ka thënë Dreshaj.

Dreshaj, që me profesion është doktor, ka thënë se në shëndetësi vazhdojnë të jenë problemet e njëjta pavarësisht se buxheti u dyfishua.

“Përkundër që është dyfishu buxheti, vazhdojnë problemet e njëjta në shëndetësi. Lista e barnave, investimet kapitale e të tjera. Jemi të vetmit në Evropë që s’kemi sigurime shëndetësore. Ligji për sigurimet shëndetësore s’është zbatuar kurrë. Kjo qeveri e ka pasur në agjendë legjislative që nga viti 2021 sigurimin shëndetësore. Është edhe në vitin 2024. Por s’ka pasur ndonjë ecje përpara. E kam thënë edhe më parë, nëse vazhdon ky trend, Kosova rrezikon të mbetet pa mjek. Në vitin 2022, 140 mjekë kanë ikur, vitin e kaluar mbi 150. Deri tash janë 20 në proces të largimit. Nëse i mendojmë kapacitetet tona në prodhimin e mjekëve, nuk i afrohemi kësaj shifre. Ne duhet të mendojmë për një strategji për shëndetësinë, të cilën nuk e kemi nga viti 2021. Strategjia 2017 – 2021 i ka kaluar afati. Më s’kemi pasur”, ka deklaruar Dreshaj.

Deputeti i AAK-së është zotuar të jetë “vota e 61-të” në rast se sigurohen 60 vota për kalimin e ligjit për shëndetin riprodhues, që dështoi sërish dje në Kuvend.