Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se janë duke punuar dhe negociuar me pozitë e opozitë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Ai tha se shpreson që në muajin shtator do t’i kenë numrat e mjaftueshëm për të filluar me procesin e mocionit të votë besimit.
“Ne e kemi filluar këtë proces, dhe mendojmë që është njëri prej mekanizmave demokratik se si ndërrohen qeveritë, të cilat nuk kanë performancë të mirë. Për këtë nevojiten numra, ne jemi duke punuar për numra dhe shpresojmë që brenda muajit shtator do t’i kemi numrat e mjaftueshëm për të filluar procesin e mocionit, pra të rrëzimit të kësaj qeverie. Momentalisht, jemi duke punuar, jemi duke punuar si me opozitën, ashtu me pozitën që të kemi numra të mjaftueshëm votash dhe të shkojmë në atë mënyrë që mocioni të jetë i suksesshëm”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Dreshaj, potencoi se kanë disa individë të opozitës, të cilët e mbështesin mocionin e mosbesimit, gjithashtu ceku se kanë edhe disa persona të pozitës, të cilët kanë dhënë sinjale pozitive për mocionin.
“Nuk kemi ndonjë përgjigje të saktë nga opozita, kemi disa individë të caktuar të cilët na mbështesin neve, kemi edhe nga opozita aty-këtu ndonjë që na veç na ka dhënë sinjale pozitive që do të na mbështesin, por ende ndonjë numër fiktiv nuk mundëm me jep. Kur të vijmë te numrat do ta shihni rezultatin. Shpresojmë të ndodhë gjatë shtatorit”, tha Dreshaj.
Sipas deputetit të AAK-së, qeveria duhet të shkojë në shtëpi për shkak të keqmenaxhmit të vendit.
“Kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi për shkak të keqmenaxhimit të vendit, ne kemi dështim në shëndetësi, dështim në arsim, në ekonomi, infrastrukturë, dështim në politikën e jashtme, pra nuk kemi asnjë shtet që na ka pranuar deri më tash. Tash e kemi edhe alarmin që e dha presidenti i Francës lidhur me liberalizimin e vizave. Pra, nuk di ku ta gjej një segment, i cili është i ndritshëm dhe që do të dilte si model për dikasteret e tjera që të merret si menaxhim si duhet”.