Duma ruse, dhoma e ulët e parlamentit, miratoi të mërkurën në leximin e saj të parë një projekt-ligj për konfiskimin e pasurisë së personave të dënuar për krime të ndryshme, duke përfshirë “përhapjen e qëllimshme të informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.
Kjo masë do të zbatohet për të gjithë ata që shpallen fajtorë për “diskreditim” të forcave të armatosura, thirrje për sanksione kundër Rusisë apo nxitje të aktiviteteve ekstremiste, shkruan Reuters.
Projektligji u miratua në leximin e parë nga tre me 395 vota pro dhe tre vota kundër.
Në këtë mënyrë, shteti do të jetë në gjendje të konfiskojë pronat e rusëve që janë larguar nga vendi dhe që kritikojnë luftën në Ukrainë, por që ende mbështeten në të ardhurat nga dhënia me qira e shtëpive dhe apartamenteve në Rusi.
Që nga pushtimi ushtarak i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rusia ka shtrënguar masat për të shtypur çdo formë të mospajtimit politik, kujton Reuters.
Sipas ligjeve të miratuara marsin e kaluar, diskreditimi i forcave të armatosura ose përhapja e informacionit të rremë për ushtrinë dënohet me burgim të gjatë.