Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në veri të Kosovës.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Banjska të komunës së Leposaviqit, njoftoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në facebook. Polici i vrarë ishte rreshter, ndërsa i plagosuri pjesëtar i policisë kufitare.
Kryeministri Kurti e quajti sulmin mbi policinë e Kosovës si “terrorist”, duke thënë se “krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.
“Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska dhe të armatosur edhe me armë të rënda”, shkruan kryeministri Kurti. Kurti zotohet për mbrojtjen e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
“Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, shkruan Kurti.
Presidentja e Kosovës Osmani ndërpret vizitën në SHBA
Sulmi mbi policinë e Kosovës në veri me vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, bëri që Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të ndërpresë vizitën në SHBA dhe të niset për në Kosovë. Sipas Presidentes “vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, shkruan presidentja në reagimin e saj.
Ajo thotë se “përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë do ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës”. Presidentja Osmani fton të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur “nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës”.
Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të larta prej muajit majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve të jashtzakonshme që u bojkotuan nga serbët./DW