Dy avionë luftarakë të Ukrainës u përplasën me njëri-tjetrin, teksa po merrnin pjesë në një mision trajnues mbi rajonin Zhitomir të Ukrainë, bëri të ditur Byroja Shtetërore e Hetimeve më 26 gusht.
Tre pilotët që gjendeshin në avionë e llojit L-39 vdiqën gjatë incidentit që ndodhi më 25 gusht në qiellin e Zhitomirit, qytet rreth 140 kilometra në perëndim të Kievit, tha Byroja.
Mbetjet e avionëve ranë në oborrin e një shtëpie private dhe ato u përhapën rreth 300 metra, sipas Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë. Askush në terren nuk u lëndua dhe nuk raportohet për dëme në shtëpi private. Ushtria ka larguar të gjitha copëzat e avionëve që u përfshin në incident.
Byroja Shtetërore e Hetimeve ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse avionët ishin në gjendje të mirë dhe nëse të gjitha rregullat janë ndjekur para se ata të ngriheshin në ajër.
Specialistët po ashtu do të hetojnë të ashtuquajturit kuti të zeza të avionëve, që përmbajnë të dhëna për lëvizjet e fluturakeve dhe reagimeve të pilotëve.
Njëri prej pilotëve që humbi jetën gjatë këtij incineti ishte Andriy Pilshchikov nga brigada e 40-të taktike ajrore. Ai ishte i njohur me nofkën “Jus”. Ky pilot ishte pjesë e mbrojtjes ajrore në Kiev, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar.
“Jus” vazhdimisht kishte dhënë intervista për mediat ukrainase dhe perëndimore, duke bërë thirrje që shtetit të tij t’i jepeshin avionë modernë luftarakë.
“Shprehim ngushëllime për familjarët e viktimave. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ne”, u tha në njoftimin e Forcave Ajrore ukrainase. /rel