Kanë kaluar dy javë që kur grupi terrorist i Hamasit ka filluar sulmin e paprecedentë ndaj Izraelit duke vrarë më shumë se 1 mijë e 400 njerëz dhe duke i marrë peng rreth 200 të tjerë.
Pas sulmeve të Hamasit, Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore, ku zyrtarët palestinezë thonë se më shumë se 4 mijë njerëz janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.
Gaza vazhdon të jetë nën rrethim të plotë, me Izraelin i cili ka ndërprerë të gjitha furnizimet me ndihma, shkruan BBC.
Udhëheqësit botërorë kanë kërkuar që të hapet vendkalimi Rafah, për të lejuar hyrjen e ndihmave, ku shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se kamionët me ndihma që presin të hyjnë nga Egjipti do të jenë “ndryshimi midis jetës dhe vdekjes”.
Ndërkohë, lirimi nga Hamasi i dy grave amerikane ka rritur shpresat se mund të lirohen më shumë pengje.