Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

 
   

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të akuzuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, duke i dënuar Petroviqin me 6 mijë euro gjobë dhe Obrenoviqin me 6 muaj burgim. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, nëpërmjet një komunikatë e ka konfirmuar se aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall  nga gjykatësi Vesel Ismaili.

Kurse, avokati Asdren Hoxha ka theksuar se Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kanë arritur një marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe kanë pranuar fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Sipas tij, pas pranimit të fajësisë, ata janë lënë të lirë.

Hoxha ka dhënë detaje lidhur me dënimin e dy serbëve për huliganizëm ndaj KFOR-it.

“Sot kemi pasur një seancë fillestare lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me ngjarjet e 29 majit të vitit të kaluar përballë komunës së Zveçanit. Siç e dini, në atë incident u arrestuan Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët dyshoheshin për katër vepra penale gjatë hetimeve, gjë që ishte një situatë shumë e vështirë në fillim. Për Sulm ndaj rendit kushtetues, sulm ndaj personelit ndërkombëtar nën mbrojtje ndërkombëtare, bëhet fjalë për KFOR-in, sulm ndaj zyrtarëve dhe si vepër e katërt në pikën e katërt, Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra kriminale ose huliganizëm. Në kuadër të hetimeve arritëm të rrëzojmë tre krimet më të rënda në këtë rast dhe e vetmja gjë që ka mbetur është se ata kanë qenë në protestë dhe ajo protestë është përshkallëzuar dhe ajo protestë ka rezultuar në kryerjen e një vepre penale ose huliganizëm. sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra ne u pajtuam që të lidhim marrëveshjen për pranimin e fajësisë për atë vepër, pika 4 nga neni 404 i Kodit Penal të Kosovës”, ka theksuar Hoxha.

Sipas tij, aktakuza ka ardhur në gjykatë me marrëveshjen për pranimin e fajësisë që gjykata e ka miratuar.

Ndërsa, në komunikatën e lëshuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, i akuzuari Petroviq është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij i zëvendësohet me gjobë 6 mijë euro.

Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku për secilën ditë qëndrimi llogariten nga 20 euro.

Kurse, i akuzuari Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 maji deri më 27 nëntor 2023.

“Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës sipas llogaritjes së shpenzimeve të gjykatës, për paushallin gjyqësor secili veç e veç obligohen të paguajnë nga 200 euro, si dhe nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit”, theksohet në komunikatë.

Palët e pakënaqura, kanë të drejtë ankese për lartësinë e dënimit, në afat prej 30 ditësh pas shpalljes së aktgjykimt.