Gjatë ditës së enjte, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në, kanë identifikuar dy lokacione në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.
Siç thuhet në raportin 24-orësh të Policisë, në dy lokacione ku janë kryer bastisje janë gjetur e konfiskuar dy kamera, dy hard-diska, radio-baza, motorola, dhe një palë dylbi.
Ndërsa, lidhur me këtë rast, njësitë policore janë në kërkim të dy personave të dyshuar serbë.
“Fotografim dhe incizim i paautorizuar – Mitrovicë Veri / 27.06.2024-11:00. Njësitet policore pasi kanë pranuar informata lidhur veprën e cekur kanë kryer bastisje në dy lokacione dhe kanë gjetur e konfiskuar 2-kamera, 2-hard-diska, radio-baza, motorola, dhe një palë dylbi. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, derisa njësitet policore janë në kërkim të dy personave të dyshuar serb lidhur me këtë rast. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe video nga operacioni policor, dhe ka thënë se mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë në Republikën tonë do të luftohen me çdo kusht.
Po ashtu, ai ka theksuar se “koha e kontrollit të veriut të vendit tonë nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë ka përfunduar”.