Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dy të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak të Hungarisë

Një helikopter ushtarak i Hungarisë u rrëzua të mërkurën gjatë një misioni stërvitor në Kroaci. Si pasojë e rrëzimit, të paktën dy persona që ishin në bord vdiqën, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Hungarisë.

Ministria e Mbrojtjes tha për agjencinë e lajmeve MTI, se dy helikopterë të llojit Airbus H145 po kryenin stërvitje, kur njëri prej tyre u rrëzua.

Tre persona ishin në bordin e helikopterit, i cili u rrëzua në zonën e kanionit të lumit Cikola, rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit kroat, Zagreb.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të nxjerrin trupat e dy personave që humbën jetën, ndërkaq kërkimet po vazhdojnë edhe për anëtarin e tretë të ekuipazhit.

Ende është e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e helikopterit.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Mari Banoziq, shprehu ngushëllime për vdekjen e dy anëtarëve të forcave ajrore hungareze, të cilët “dhanë njohuritë dhe aftësitë e tyre për të kontribuar në sigurinë tonë të përbashkët”.

Sipas pamjeve të transmetuara nga transmetuesi shtetëror kroat, HRT, ekipet e kërkim-shpëtimit po kryejnë operacione në një terren të pjerrët shkëmbor në zonën e kanionit. /REL/