Pas raportimeve në disa media se në Bullgari është arrestuar kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, zyrtarë të këtij institucioni thanë se nuk janë në dijeni lidhur me këtë rast. Ata as nuk e kanë pohuar e as mohuar një gjë të tillë.
E kontaktuar përmes telefonit, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Dafina Syla- Dina tha për RTK-në se krejt çka dimë deri më tash është fakti se kryeshefi Krasniqi ndodhet në pushim vjetor.
RTK poashtu ka kontaktuar edhe me Policinë e Gjakovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha se deri më tash nuk kemi marrë asnjë informacion apo njoftim lidhur me arrestimin e kryeshefit të KRU “Gjakova”.
Sipas raportimeve në media, por të pakonfirmuara nga Policia e Kosovës, Krasniqi është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane nën dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Në zgjedhjet e fundit lokale Krasniqi, kishte dështuar te zgjedhjet komunale nga radhët e LVV, ndërsa në janar të 2022 , nga Qeveria e Kosovës është emëruar kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.